Katër filma në garë për ta përfaqësuar Kosovën në ‘Oscars’, QKK emëron komitetin selektues

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar komitetin selektues për përzgjedhjen e filmit të Kosovës për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscars”.

Veton Nurkollari, Kaltrina Krasniqi, Sevdije Kastrati, Doruntina Basha, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha dhe Yllka Brada janë emëruar në komisionin seleksionues me miratim të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, “Oscar”.

Lum Çitaku, zyrtar për Media dhe Komunikim në QKK, ka thënë se katër projekte filmike kanë aplikuar në konkursin për përzgjedhjen e filmit të Kosovës për “Oscars” që ishte hapur në korrik të këtij viti. Çitaku nuk ka treguar se cilat projekt filmike kanë aplikuar në konkurs.

“Kanë aplikuar 4 projekte filmike, mirëpo, gjithmonë prej përvojave të kaluar aplikuarit nuk kanë dashur që të publikohen emrat e projekteve filmike konkurruese në konkursin për përzgjedhjen e filmit që do të përfaqësojë Kosovën në garën e cimeve të Akademisë ‘Oscar’”- ka thënë Çitaku.

Ai ka thënë se komiteti selektues është aprovuar nga Akademia “Oscar”, ndërsa deri më 2 tetor 2023 Kosova duhet të dërgojë në Akademinë “Oscar” filmin përzgjedhës që do të përfaqësojë Kosovën në  kategorinë e film ndërkombëtarë në “Oscar”.

Ceremonia e 96-të e çmimeve “Oscar” do të mbahet  më 10 mars 2024.

Nga 2014, Kosova fitoi të drejtën për të përzgjedhur një film për garën e çmimeve OSCARS në kategorinë e filmit të huaj. Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në OSCARS më 2016.