Kosova me rekord në çmimin e lartë të naftës

Çmimi i lartë i karburanteve ka shënuar rekord sot dhe dje në Kosovë.

Aktualisht nafta në kompani të karburanteve kushton 1.45 euro deri në 1.49 euro për litër.

Viteve të fundit, çmime më të ulta të karburanteve Kosova ka pasur në kohën e pandemisë në vitin 2020.

Asokohe, çmimi për një litër nafte kushtonte rreth 0.68 cent.

Qeveria e Kosovës më 1 mars kishte marr vendim që te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Në një konferencë për media, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë se e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Berjani tha se pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.

“Sa i përket këtij vendimi të qeverisë unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve nuk jam informuar dhe nuk kam pas takim lidhur me këtë pa marr parasysh që kemi pas takime me ministren e Tregtisë, po lidhur me këtë vendim unë kam dëgjuar mbrëmë nga kolegët e mi të cilët kanë thënë se është një vendim i cili i dëmton bizneset tona”, tha ai.

Në anën tjetër, BBC raportoi dje se çmimet e naftës janë rritur pavarësisht angazhimit për masa të reja, që synonin qetësimin e tregjeve pas pushtimit të Ukrainës.

Nafta e papërpunuar Brent, e njohur si standardi ndërkombëtar për çmimet e naftës, ka arritur në 113 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2014.

Çmimi i naftës u rrit edhe pasi anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ranë dakord të lëshonin 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës. Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë.

Si rezultat, shqetësimet për pushtimin e Ukrainës nga Rusia kanë shkaktuar shqetësime tek investitorët, se furnizimet me naftë ose gaz mund të preken.

Të hënën, RAC tha se çmimi mesatar i benzinës ishte rritur në një rekord prej 1.51 funtësh  për litër të dielën, ndërsa nafta u rrit në 1.55 funta.