Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Naftëtarët kundër vendimit të Qeverisë për kufizim të çmimit të naftës

Fadil Berjani kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë se e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili është marr dje më 1 mars 2022 që të përcaktoj çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës.

Berjani gjatë një konference për media tha se për këtë vendim nuk është informuar dhe nuk ka pasur takime lidhur me këtë çështje.

“Sa i përket këtij vendimi të qeverisë unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve nuk jam informuar dhe nuk kam pas takim lidhur me këtë pa marr parasysh që kemi pas takime me ministren e Tregtisë, po lidhur me këtë vendim unë kam dëgjuar mbrëmë nga kolegët e mi të cilët kanë thënë se është një vendim i cili i dëmton bizneset tona”, tha ai.

Berjani shtoi se e kundërshtojnë këtë vendim, pasi sipas tij pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.

“Unë po çuditem se si është e mundur që kryeministri të bindet që me 6 për qind të mundet një pikë karburanti të mbijetoj. Importi është me 4 për qind, unë si kryetar i shoqatës e kundërshtoj këtë vendim, ky vendim është shqetësues, i dëmton bizneset dhe i falimenton”, tha ai.

Berjani shtoi se gjatë ditës ka pasur takim me ministren e Tregtisë Rozeta Hajdari, ndërsa nga ora 14:30 ai tha se një grup i pret në takim.

“Presim ta gjejmë një gjuhë të përbashkët”, tha ai.

Qeveria e Kosovës më 1 mars kishte marr vendim që te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

(DOKUMENT) Qeveria vendosë kushte për naftëtarët, nuk iu lejon më shumë se 6% fitim