Korenica me akuza për nepotizëm ndaj drejtuesve të BQK-së, theksohet edhe paga prej 5 mijë euro e shefit të Byrosë së Sigurimeve si këshilltar

Në kuadër të pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga anëtarët e komisionit parlamentar, deputeti LVV-së Visar Korenica, ka bërë disa denoncime sa i përket punësimeve në BQK dhe në Byron e Sigurimeve.

Korenica kërkoi të dijë se nëse kanë shqiptuar ndonjë gjobë ndaj anëtarëve të byros së sigurimeve, pas shkeljeve të shumta.

Korencia tha se Agim Elshani, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë së Sigurimeve është paguar në kundërshtim me statusin e Byrosë së Sigurimeve është konstatuar se ky vendim paraqet konflikt interesi.

KALLXO.com ka raportuar se Agim Elshani, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve ishte angazhuar nga i njëjti organ në pozitën e këshilltarit për të cilën është paguar 5 mijë euro në muaj.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e asamblesë së Byrosë Kosovare të Sigurimeve që vet Elshani e kishte nënshkruar për pozitën e tij si  konsullent.

“Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve u diskutua që Industria e Sigurimeve të ketë një përfaqësues/konsulent për çështje që kanë të bëjnë me Industrinë e Sigurimeve dhe u vendos që Agim Elshani ta marrë këtë të drejtë dhe puna e tij të kompenzohet me pagë, 5 mijë euro në muaj”, thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com.

Elshani në pozitën e konsulentit ka ofruar këshilla brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ndërsa paga prej 5 mijë euro në vendim arsyetohet me ‘qëllim të suksesit dhe mbarëvajtjes së punëve’.

Deputeti Korenica përmendi edhe lejimin për marrje të pensionit të parakohshëm për Gani Thaçin dhe punësim të familjarëve të politikanëve në BKS.

Mehmeti iu kundërpërgjigj deputetit Korenicës se për punësimet në Byro nuk është i njoftuar me ligjet dhe procedurat.

“Nuk kemi të drejtë të përzihemi në punët operacionale të drejtorit të Byrosë”, tha ai.

Deputeti Korenica tutje potencoi se në lidhje me revokimin licencës së Jute Credit.

Ai tha se ekzistojnë dyshime se guvernatori Mehmeti dhe zëvendësi i tij, Havolli kanë marrë pagesa nga ky institucion. Ai prentedon se vetëm pasi u janë ndal këto pagesa, BQK-ja i ka shtu kontrollat tek ky institucion dhe ka përfunduar me tërheqje të licencës.

Derisa Korenica ka qenë duke folur, ai është ndërprerë nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti dhe zv.Guvernatori, Sokol Havolli duke thënë se ato janë shpifje.

“Këto shpifje nuk mund të tolerohen. Këto janë shpifje dhe nuk mund t`i toleroj këso shpifje ndaj guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit”, tha Havolli.

Pas diskutimeve, deputeti Visar Korenica e ka vazhduar fjalën duke thënë se BQK-ja i kishte bërë tri inspektime të një-pas-njëshme të papërfunduara dhe sipas tij këtij institucioni i është revokuar licenca pa u marrë masa ndëshkimore të parapara me ligj për gjetjet që kanë dal nga raportet e inspektimeve.

Ai pretendon se për revokim të licencës, BQK-ja është thirr edhe në një shkresë të pranuar nga AKI-ja.

“Departamenti i mbikëqyrjes bankare në BQK udhëzohet nga Sokol Havolli që të shënoj në raportin e vet që njëra prej disa arsyeve pse po ju revokohet licenca Iutes është sepse ekziston një letër nga AKI-ja, në atë kohë e drejtuar nga Vlora Hyseni, se operimi i Iute Creditës në Kosovë mund të shkaktojë rrezikim të sigurisë kombëtare”, ka thënë Korenica.

Ai ka thënë se këtë shkresë të AKI-së nuk e ka parë askush nga departamenti i mbikëqyrjes bankare që japin rekomandime për dhënie e marrje të licencave.

“Prandaj meqë askush nuk e ka parë këtë shkresë zyrtarët e BQK-së besojnë që si favor që i është bërë Guvernatorit duke e bërë këtë letër nga AKI-ja, Guvernatori ja punëson shefës së AKI-së, Vlora Hysenit motrën në BQK, në Burime Njerëzore 2 muaj pasi që ju tërhiqet licenca Iute Creditit, pasi 2 muaj zgjasin procedurat e rekrutimit”, ka thënë Korenica.

Guvernatori Fehmi Mehmeti i është përgjigjur Korenices sa i përket Iute Creditit. Ai ka thënë se BQK-ja kanë diskutuar me dyer të mbyllura me deputetet për këtë rast meqë rasti është në Arbitrazh. Ai thotë se gjatë muajit shkurt pritet një vendim dhe pret që rastin do ta fitojnë. Këtë besim ai e ka argumentuar edhe më faktin që BQK-ja e ka fitu rastin e Monegos deri në Gjykatë Kushtetuese.

Guvernatori Mehmeti tha se deklarimet e Korenices janë të paverteta. Madje, ai ka thënë se nëse deputetet kanë fakte është mirë të dërgohen në prokurori dhe se nuk mund të akuzoni për diçka të tillë pa fakte.

“Nëse ti lirohesh nga imuniteti i deputetit dhe nëse ke fakte se guvernatori ka marrë mjete nga Jute Credit dhe nuk e ke dërgu në organet kompetente atëherë ke bërë vepër penale. Nuk mund të thuash se ke marrë mjete e pastaj ju ke revoku licencën”, u shpreh Mehmeti.

Shefi i Asamblesë së Byrosë së Sigurimeve ka marrë pagë 5 mijë euro edhe si këshilltar