Shefi i Asamblesë së Byrosë së Sigurimeve ka marrë pagë 5 mijë euro edhe si këshilltar

Vitin e ri 2019 Agim Elshani, kryesues i Asamblesë së Përgjithme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve e kishte filluar me një pozitë të re brenda BKS-së.

Organi që ai e udhëheqë ia kishte besuar atij edhe një detyrë shtesë. Asambleja e Përgjithshme e Byroes e kishte emëruar kryetarin e saj edhe në postin e ‘konsulentit’. E për këtë detyrë shtesë, Elshanit i ishte ndarë një pagë shtesë prej 5 mijë euro në muaj.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e asamblesë së Byrosë Kosovare të Sigurimeve që vet Elshani e kishte nënshkruar për pozitën e tij si  konsullent.

“Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve u diskutua që Industria e Sigurimeve të ketë një përfaqësues/konsulent për cështje që kanë të bëjnë me Industrinë e Sigurimeve dhe u vendos që Agim Elshani ta marrë këtë të drejtë dhe puna e tij të kompenzohet me pagë, 5 mijë euro në muaj”, thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com.

Elshani në pozitën e konsulentit ka ofruar këshilla brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ndërsa paga prej 5 mijë euro në vendim arsyetohet me ‘qëllim të sukesit dhe mbarëvajtjes së punëve’.

Burimet e KALLXO.com ka bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës e ka ngritur rastin e Elshanit në Raportin e Ekzaminimit të Byrosë të vitit 2019 si institucion mbikëqyrës i saj.

Banka Qendrore e Kosovës në këtë raport ka thënë se ushtrimi i dy funksioneve nga i njëjti zyrtar paraqet konflikt potencial të interesit, duke u thirr në rregulloren e BQK-së e cila thotë se, “siguruesi apo anëtarësia e saj, në mënyrë direkte apo indirekte nuk duhet t’i jap biznes një pale të afërt në mënyrë të huas, garancisë…”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Banka Qendrore e Kosovës e ka konfirmuar rastin e Elshanit duke thënë të njëjtin e ka adresuar dhe mbetët përgjegjësi e BKS-së, përkatësisht organeve drejtuese të saj, të zbatojnë rekomandimet apo vendimet e BQK-së.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në pajtim me mandatin e saj ka identifikuar, paraqitur dhe adresuar çështjet e theksuara, përmes raportit të ekzaminimit dhe Vendimit të BQK-së Nr. 47 – 25/2020. Mbetet përgjegjësi e Byrosë Kosovare të Sigurimit, përkatësisht organeve drejtuese të saj, të zbatojnë rekomandimet/vendimet e BQK-së”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për KALLXO.com

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, por ata kanë thënë se “nuk do ta komentojnë këtë” me arsyen se “është një vendim i së kaluarës”.

Aktualisht kryesuesi i Byrosë së Sigurimeve nuk merrë asnjë kompensim për këtë postë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Agim Elshanin, mirëpo nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ai.

KALLXO.com me datën 24 qershor ka dërguar pyetje ne emailin zyrtar të Elashinit të kompanisë. Po ashtu, me 24 qershor KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Byronë Kosovare të Sigurimeve në mënyrë që të njëjtat t’i percjellen Elashanit. Më 6 korrik Elshanit  KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe në SMS dhe platformat tjera të komunikimit, por nuk ka pranuar përgjigje.

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në shtator të vitit 2011 dhe pjesë të saj janë të gjitha kompanitë e licencuara të sigurimit. Kështu, BKS-ja nuk është institucion publik dhe nuk financohet nga buxheti i shtetit por nga kompanitë anëtare të sigurimit.

Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve përbëhet nga 10 anëtarë, drejtor të kompanive të sigurimeve dhe një përfaqësues i Bankës Qendrore të Kosovës.