Koreja e Veriut e shpall veten shtet nuklear

Koreja e Veriut e ka miratuar një ligj të ri përmes të cilit e deklaron veten një shtet me armë bërthamore, një veprim për të cilin lideri Kim Jong Un thotë se është “i pakthyeshëm”.

Kim u zotua se Korea veriore “nuk do të heqë dorë asnjëherë” nga armët e tij bërthamore dhe tha se nuk mund të ketë negociata për denuklearizimin pasi ai përshëndeti miratimin e ligjit, njoftuan mediat shtetërore të Koresë së Veriut të premten.

Ligji i ri parashikon gjithashtu të drejtën e Phenianit për të përdorur sulme parandaluese bërthamore për ta mbrojtur veten – duke e përditësuar një qëndrim të mëparshëm sipas të cilit ai kishte thënë se do t’i mbante armët e tij vetëm derisa vendet e tjera të denuklearizohen dhe nuk do t’i përdorte ato në mënyrë parandaluese kundër shteteve jo-bërthamore.

Armët bërthamore përfaqësojnë “dinjitetin, trupin dhe fuqinë absolute të shtetit”, tha Kim ndërsa përshëndeti vendimin e parlamentit të vendit – Asambleja e Lartë Popullore – për të miratuar ligjin e ri me votim unanim.

“Për sa kohë që armët bërthamore ekzistojnë në Tokë, dhe imperializmi dhe manovrat anti-koreane të SHBA-së dhe ndjekësve të saj mbeten, rruga jonë për të forcuar forcën tonë bërthamore nuk do të përfundojë kurrë.”

Ligji i ri e ndalon gjithashtu ndarjen e teknologjisë bërthamore me vendet e tjera.

Ky ligj i ri vjen në mes të tensioneve në rritje rajonale lidhur me zgjerimin e programit të armëve bërthamore dhe raketave nga Koreja e Veriut.

Lideri verikorean Kim ka bërë kërcënime gjithnjë e më provokuese të konfliktit bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në Azi gjatë muajve të fundit.

Në të njëjtën kohë, SHBA është bërë gjithnjë e më e shqetësuar se Koreja e Veriut mund të përgatitet ta kryejë testin e saj të parë bërthamor të nëndheshëm në vite./CNN