Vladimir Putin nënshkruan ligjin për tërheqjen e Rusisë nga traktati që i ndalon testet e armëve bërthamore

Presidenti Vladimir Putin e ka nënshkruar të enjten një ligj përmes të cilit tërheq ratifikimin e Rusisë të traktatit global që i ndalon testet e armëve bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e kritikoi Rusinë për largimin nga Traktati i Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore dhe i bëri thirrje Moskës të angazhohet për të mos testuar. 

Annalena Baerbock, ministrja e jashtme gjermane, ka deklaruar të enjten se është e bindur se Bashkimi Europian muajin e ardhshëm do ta avancojë ofertën e Ukrainës për t’u bashkuar me bllokun e BE-së në një samit që shihet si një moment historik në përpjekjet e Kievit për t’u integruar me Perëndimin.

Gjermania propozoi një udhërrëfyes të detajuar dhe inovativ për ta zgjeruar BE-në, që do t’u jepte vendeve kandidate, në mesin e të cilave është edhe Ukraina, përfitime të hershme, duke përfshirë statusin e vëzhguesit në samitet e liderëve në Bruksel përpara anëtarësimit të plotë.

Mike Johnson, kryetari i Dhomës Republikane të Përfaqësuesve të SHBA-së, ka thënë se një projekt-ligj që lidh ndihmën e Ukrainës me sigurinë kufitare “do të vijë më pas”, pas votimit të trupit për një masë të pavarur ndihme për Izraelin.

Administrata Biden ka planifikuar të japë 425 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, ka cituar Reuters të kenë thënë dy burime amerikane.

Zyrtarët thanë se paratë afatgjata do të sigurohen përmes Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, e cila i financon kontratat për sisteme më të mëdha armësh që duhet të ndërtohen ose modifikohen nga kompanitë e mbrojtjes.

Mijëra luftëtarë ukrainas janë kapur pasi Rusia mori kontrollin e Mariupolit majin e kaluar, disa prej të cilëve u dërguan në Rusi ose u gjykuan nga gjykatat e mbështetura nga Moska në Ukrainën lindore të pushtuar. Grupet e të drejtave dhe vendet perëndimore e kanë kritikuar Moskën për nxjerrjen në gjyq të ushtarëve ukrainas të kapur.

Rusia po përgatitet ta sulmojë infrastrukturën me rëndësi jetike të Ukrainës sapo të ulen temperaturat, sipas sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala