Ilustrim

Lukashenko: Bjellorusia do të përdorë armë bërthamore në rast "agresioni"

Bjellorusia do të ishte e gatshme t’i përdorte armët bërthamore të dhëna nga aleati i ngushtë Rusia përballë “agresionit” të huaj, ka deklaruar të enjten presidenti Alexander Lukashenko, ndërkohë që tensionet po rriten gjithnjë e më shumë rreth kufijve të këtij vendi me vendet e NATO-s.

Kryeqyteti bjellorus, Minsk, ka luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, me Moskën duke përdorur Bjellorusinë si një nga pikat e saj të nisjes për pushtimin në fillim të vitit 2022, ndërsa stërvitjet e përbashkëta ushtarake Rusi – Bjellorusi gjatë vitit të kaluar i kanë nxitur shqetësimet se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse në konfliktin.

Sipas presidentit rus Vladimir Putin, në qershor, kokat bërthamore ruse thuhet se iu dorëzuan Bjellorusisë për “parandalim”.

Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko pohoi se Bjellorusia “nuk do të përfshihej asnjëherë në këtë luftë” nëse ukrainasit nuk e kalojnë kufirin e saj por ai shtoi se “ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Rusinë, ata janë aleati ynë”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse provokohet – veçanërisht nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia, Lituania dhe Letonia – Bjellorusia “do të përgjigjet menjëherë me gjithçka që kemi”, përfshirë edhe armët bërthamore.

Nuk është e qartë se sa nga arsenali bërthamor i Rusisë u transportua në Bjellorusi kohët e fundit, dhe zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë nuk e kanë konfirmuar publikisht se ndonjë armë është transferuar – megjithëse zyrtarë të lartë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA) thanë se ata “nuk kanë arsye për të dyshuar”, në atë se çfarë thotë Putini.

Gjatë intervistës, Lukashenko tha nëse Bjellorusia do të sulmohej, “ne nuk do të vonojmë, të presim dhe të tjerët. Ne do ta përdorim të gjithë arsenalin e armëve tona për parandalim.”

“Ne nuk sollëm armë bërthamore këtu për ta trembur dikë,” shtoi ai. “Po, armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fortë pengues. Por këto janë armë bërthamore taktike, jo strategjike. Kjo është arsyeja pse ne do t’i përdorim ato menjëherë pasi të nisë agresioni kundër nesh.”

Zyrtarët e lartë të DIA-s thanë në korrik se nuk besojnë se Lukashenko do të ketë ndonjë kontroll mbi arsenalin, i cili me shumë gjasa do të kontrollohej tërësisht nga Rusia./CNN