Konjufca: Në drejtësi ka vullnet anti-LVV për t’i bërë penale, disa çështje administrative
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në “Kallxo Përnime” ka deklaruar se në sistemin e drejtësisë ka tendencë të njolloset Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo pasi ai ka thënë se në drejtësi është dikush që me vullnet anti-LVV, të cilët çështjet administrative i bëjnë penale.
Kështu ka thënë Konjufca teksa ka folur për çështjen e rezervave shtetërore.
“Është një defekt shumë i madh në Republikën e Kosovës. Është defekt se çështjet administrative, po është dikush në drejtësi me vullnet anti – LVV, special anti – LVV, i bën penale”- ka deklaruar ai.
“Për shembull Jeta Xharra bën një gabim administrativ, është i nivelit administrativ. Edhe unë ia kthej Jeta Xharrës prej administratives në penale. Pse e bëjë këtë? Se du me të njollosë edhe me të çu në burg një muaj në burg. Edhe për ty pastaj shkruajnë krejt që je hajn” – ka thënë Konjfuca para Jeta Xharrës derisa argumentonte pretendimet e tij se në drejtësi ka vullnet anti-Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas kryeparlamentarit, në çështjen e rezervave shtetërore nuk ka ndonjë shkelje.
“Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje aty, e aq më pak korrupsion. Qeveria ka thënë “hajde shkojna bashkë në depo është 97.5%, 2.5 % ka me ardhë, qekjo nuk është vepër penale” – ka thënë Konjufca.
Ai po ashtu ka thënë se në agjenci qeveritare është e ligjshme që kryeministri të emëroj persona.
“Nëse një institucion është qeveritar, agjenci qeveritare, se agjencitë ndahen në të ndryshme, qeveritare dhe të pavarura, nëse është e pavarur, ti nuk ke drejtë si ministri me iu perzi dhe ti e vendos atje një njëri, kjo mund me përbë vepër penale. Por nëse e çon dikë në agjenci qeveritare, kryeministri e ka me ligj të drejtën”- ka shtuar ai.
Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
Lidhur më këtë, Konjufca ka thënë se pas inicimit Komisioni do të bëhet.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.