Konjufca ia dorëzon detyrën Vjosa Osmanit

Postin e kryeparlamentarit të cilin e kishte mbajtur një muaj e pak ditë, Glauk Konjufca ia dorëzoi Vjosa Osmanit, e cila sot u zgjodh në këtë pozitë, me kalimin e Konjufcës në krye të MPJ-së.

Me këtë rast Konjufca u shpreh u lumtur që Kuvendi po udhëhiqet nga një grua si Vjosa Osmani.

“Këtë pozitë po e merre një deputete e shkëlqyeshme e Kuvendit të Kosovës, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në Kuvend dhe përveç asaj ishte një kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit. Në krye të Kuvendit e kemi një grua shumë të nderuar, zonjën Osmani e cila nuk kam asnjë dyshim që do ta kryej këtë detyrë me nderë dhe respekt, që do ta fuqizoj Kuvendin e Republikës së Kosovës. Urime dhe të priftë e mbara”, tha Konjufca.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani u shpreh e nderuar nga kjo pozitë për të cilën u shpreh se do të vazhdojnë bashkëpunimin me Konjufcën

“Është nderë i jashtëzakonshme ta marrë besimin e deputetëve. E falënderoj z. Konjufca për bashkëpunimin e deritanishëm dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe si ministër”, tha ajo.

Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme të thirrur pikërisht për këtë çështje me 68 deputet në sallë ajo mori 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë  abstenim.

Partia e Kurtit do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më 26 dhjetorë këtë pozitë e ka marrë, Glauk Konjufca, mirëpo për shkak të arritjes së marrëveshjes politike LVV ka rënë dakord që këtë pozitë tia kaloj LDK-së.

Ndërsa Glauk Konjufca është zgjedhur sot si ministër i Punëve të Jashtme.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve arritën t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Vjosa Osmani zgjidhet kryetare e Kuvendit

.