Konjufca: Duhet të gjendet një formë e re për Asociacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka folur për planin franko – gjerman, për të cilin sipas tij është kërkuar që mos të ndahet me publikun.

“Ky plan është kërku prej propozuesve mos të ndahet shumë me publikun, maksimalisht të kufizohet kjo për shkak se palët përderisa janë në bisedime dhe ju prezantohet fillimisht atyre procesi mund edhe të shkatërrohet nëse nuk ruhet konfidencialiteti mes propozuesve dhe palëve që e morën propozimin” – shtoi Konjufca.

Sipas tij qëndrimi i kryeministrit Kurti për këtë plan ka qenë që të vazhdohet tutje.

“Kryeministri para 3 muajsh së paku ka thënë se është bazë e mirë që të vazhdohet tutje. Ai ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovë. Aty nuk përmendet kurrfarë asociacioni. E tëra që mund të aludohet për nënkuptim të asociacionit në atë plan është marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog. Kosova e merr përsipër njëfarë obligimi për marrëveshjet e deritanishme që janë arritur në dialog nga ky kuptim mund të thoni se është i nënkuptueshëm” – shtoi Konjufca.

Sipas Konjufcës, asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese dhe  duhet të gjendet një formë e re e asociacionit.

“Çka është e lejueshme përbrenda Kushtetues së Kosovës është e lejueshme vetëm një formë e asociacionit të komunave e cila është formale simbolike me takime të cilat komunat ndajnë shqetësime për problemet e tyre të përbashkëta në Republikën e Kosovës, krijojnë ndonjë mekanizëm sa i përket interesat e përbashkëta në fusha të veçanta. P.sh për ujëra, mbeturina, çështje të ndryshme kulturore” – u shpreh Konjufca.

Konjufca ka vlerësuar dy rreziqe për Kosovën. E para sipas tij është njohja e Kosovës.

“Mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje de-facto. Pra shtetësia e Kosovës nga Serbia nuk pranohet drejtpërdrejt, por pranohet në mënyrë të tërthortë”, shtoi Konjufca duke thënë se nuk pranohet përmes një akti shtetëror të Serbisë, por përmes një marrëveshje me Bashkimin Evropian.

Kurse rreziku i dytë sipas tij mund të jetë marrëveshja përfundimtare e cila sipas tij duket që nuk e ka formën e marrëveshjes përfundimtare.

Konjufca ka përmendur edhe vizitën në Këshillin e Evropës duke thënë se ka krijuar një përshtypje se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE gjithnjë e më shumë po bëhet e ndërlidhur me dialogun me Serbinë.

Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ambasadorë e diplomatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.

Ai tha se e konsideron këtë propozim si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Lajçak tha se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Emisari i BE-se paralajmëron se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

Hovenier thotë se do të ofrojë mbështetje të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”- shkruan Hovenier.

BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.