Takimi mes kryeministrit Kurti, zv.kryeministrit Bislimi dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Kurti pas drekës me Lajçak: Ne e pranojmë propozimin e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si franko-gjerman.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas drekës së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

 

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se vizita e tij sot në Prishtinë është në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka diskutuar rreth propozimit të BE-së dhe përgatitjeve të një takimi konstruktiv të nivelit të lartë.

“Vizita ime e sotme në Prishtinë është një vazhdimësi e përpjekjeve diplomatike për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin evropian. Kjo është vizita ime e 10-të që nga shtatori dhe patjetër që kemi diskutuar për propozimin dhe gjithashtu përgatitjet për një takim konstruktiv të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kurse misioni im i sotëm do të vazhdojë në takimin me Vuçiq sonte”- tha Lajçak.

Emisari i BE-së deklaroi se në takim kanë diskutuar gjithçka çka është në agjendën e dialogut dhe sipas tij, baza e diskutimeve është propozimi që ai ka prezantuar në shtator.

“Ne diskutuam gjithçka se çka është në propozim dhe në agjendën e dialogut, por baza e diskutimeve është propozimi që unë e kam prezantuar në shtator. Ne duam të sigurohemi që të vazhdojmë tutje me këtë propozim dhe kur të sjellim të dy liderët në Bruksel dhe nuk po flas në emër të kryeministrit sepse mund ta pyesni vet”- ka thënë Lajçak.

Më tej Lajçak tha se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar edhe për gjashtë kushtet të cilat Kosova mund ta konsiderojë themelimin e Asociacionit, për të cilat ai tha se ka informuar kreun e ekzekutivit se cili është qëndrimi i tij.

Lajçak theksoi se gjithçka që është dakorduar në dialog, duhet të zbatohet.

Prezent në takim ka qenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, por nuk është deklaruar para gazetarëve në lidhje me takimin.

Gjatë ditës së sotme Kurti është takuar edhe me ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Pas vizitës në Kosovë është raportuar se Lajçak mund të vazhdojë vizitën në Serbi.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.