Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

Vizita në Kosovë e Serbi, Lajçak paralajmëron takim të nivelit të lartë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka dalë me një postim në rrjetin social Twitter.

Lajçak ka thënë se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Emisari i BE-se paralajmëron se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi dhe në Beograd të bëjë të njëjtën gjë me presidentin serb Aleksandar Vucic dhe me Petar Petkovic. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi Propozimin evropian në parim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”- shkruan Lajçak.

Kryeministri i Kurti pas drekës me Lajçak dje tha se Kosova e pranon propozimin e BE-së i njohur si franko-gjerman.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq dje, Lajçak para gazetarëve deklaroi se gjithçka që është dakorduar në dialog, duhet të zbatohet.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe e kam informuar kryeministrin se cili është pozicioni ynë por, nuk dua të bëj analiza ligjore, ishte e dobishme të kemi këtë diskutim. Çka dua të përsëris është që gjithçka që është rënë në dakord në dialog, duhet të zbatohet. Kështu arrihet normalizimi”- theksoi Lajçak.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.