Konfiskohen mbi 35 kg lëndë marihuanë në Gjakovë

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Njësia e Gjakovës pas një urdhër kontrolli në një fshat të Gjakovës në shtëpinë e të dyshuarit J.B., 1974 ka gjetur dhe konfiskuar 35 kilogramë lëndë narkotike.

Sipas policisë, ky kontroll u krye në kuadër të operacionit “Mali” ku është zhvilluar hetim rreth tre muaj.

“Sot, më 30.06.2023, në orët e mbrëmjes, policia ka realizuar një plan taktik, ku njësive të anti-drogës u kanë ofruar mbështetje edhe njësi tjera policore të Gjakovës. Operacioni policor është zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë, nga të cilat edhe është pranuar urdhri për kontroll në një lokacion në një fshat të Gjakovës” – thuhet në njoftim.

Policia thekson se i dyshuari tek i cili u shet sasi e madhe e lëndës narkotike e llojit marihuanë është arrestuar dhe i është inicuar rasti “‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

“Gjatë kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit J.B., (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), policia ka gjetur e konfiskuar 32 paketime me lëndë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë 35 kg e 581 gr., një peshore digjitale, një telefon, një veturë e dëshmi tjera relevante për rastin. Me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”- thuhet tutje në njoftim.