Ilustrim.

Komuna lë pa mbështetje ngjarjet kryesore vjetore në Mitrovicë, reagojnë organizatorët e Festivalit të Komedisë

Komuna e Mitrovicës nuk do ta mbështes organizmin edicionit të sivjetëm të Festivalit Tradicional të Komedisë, që mbahet çdo vit në këtë qytet.

Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës i kanë thënë Kallxo.com se shkas për të mos mbështetur këtë vit këtë festival, është renovimi i Sallës së Teatrit të Mitrovicës dhe paqartësitë në aplikacionet e organizatorëve sa i përket buxhetit të kërkuar.

Por, organizatorët e festivalit kanë hedhur arsyet e Komunës së Mitrovicë për mos mbështetje të edicionit të sivjetëm të këtij festivali. Sipas organizatorëve, pavarësisht mos mbështetjes, edicioni i sivjetëm i këtij festivali do të mbahet.

Arsyet për mosmbështetje

Valdete Idrizi, drejtorëshë për Kulturë në Komunës së Mitrovicës ka përmendur dy arsye për mosmbështetje të Festivalit të Komedisë për këtë vit.

Ajo ka thënë se Qendra e Kulturës, “Rexhet Mitrovica”, duke përfshirë edhe Sallën e Teatrit të  Mitrovicës “Muharrem Qena” është në renovim dhe, siç ka thënë ajo pamundësona mbajtjen e aktiviteteve kulturore.

“Ndërtesa është vendpunishte, prandaj është e pamundur të realizohet aktivitete në këtë ndërtesë, e as Festivali i Komedisë, edhe disa aktivitete tjera të planifikuara në atë hapësirë. Besoj se kjo ka qenë e ditur edhe për stafin e Festivalit të Komedisë, sepse të gjithë qytetarët e dinë se sallë tjetër për realizimin e një festivali të tillë, për çfarë kanë aplikuar, nuk ka”, ka thënë ajo.

Ndërsa, arsye tjetër për mosmbështetje të festivalit, sipas drejtoreshës Idrizi është se OJQ “MITRIX Culture” si bartëse e projektit për Festivalin e Komedisë kur e ka dorëzuar aplikacionin nuk i kishte respektuar të gjitha kriteret dhe rregulloren nr. 04/2017.

“Përveç arsyes kryesore që e ceka më lartë, komisioni vlerësues, po ashtu ka gjetë edhe: shpërputhje në formularët F9 dhe F10, ku në njërin formular kërkohet buxhet tjetër, e në tjetrin një tjetër. Ne si Drejtori e kemi futur në kalendarin kulturor Festivalin e Komedisë sepse e konsiderojmë aktivitet shumë me vlerë, sikurse edhe Festivalet tjera dhe do të vazhdojmë ta përkrahim, por këtë herë është e pamundur, në këtë thirrje është e pamundur për shkak se nuk ka hapësirë ku të realizohet. Nuk ka”- ka thënë Idrizi për KAllxo.om.

Përgjigja e organizatorëve

Organizatorët e festivalit, OJQ “MITRIX Culture”, thanë për KALLXO.com se arsyetimet e Komunës për mosmbështetje të festivalit janë të dobëta dhe të pabaza.

“Specifikimin në detaje të shpenzimeve dhe kostos së përgjithshme të festivalit që ata e quajnë mospërputhje, dhe arsyeja tjetër që gjoja se kanë filluar investimet për restaurimin e Qendrës së Kulturës, por kjo është vetëm një justifikim i dobët, meqë Festivali ka dhjetëra hapësira se ku mund dhe do të mbahet!”- thuhet nga ana e stafit të festivalit.

Sipas stafit të Festivali të Komedisë, edicioni i 13-të, gjithësesi do të mbahet në vjeshtë, pavarësisht mosmbështetjes nga komuna.

“Ne kemi më shumë se 4 hapësira ku mund të mbahet festivali, por në rast se edhe ato hapësira na i bllokojnë, Festivalin do e mbajmë në ndonjërin nga qytetet e Kosovës, ngase ky Festival është mbarëkombëtar dhe askush nuk do të mund t’i ndaloj artistët shqiptar të bëhen bashkë, të garojnë, të festojnë, të shkëmbejnë ide dhe bashkëpunime e mbi të gjitha të flasin shqip në teatër!”- kanë thënë nga stafi i Festivali për KALLXO.com.

Sipas OJQ “MITRIX Culture”, vitin e kaluar Festivali i Komedisë ishte mbështetur me 3 mijë euro nga Komuna e Mitrovicës, por, që morën premtime nga zyrtarë komunal se në 2023, Festivalin Tradicional të Komedisë do ta mbështesin fuqishëm.

Historiku i festivalit

Festivali i Mbarëkombëtar i Komedisë ka nisur në 2008, Gjatë 12 edicioneve në kë festival kanë performuar artistët më tët mirë të artit dramatik; janë mbajtur workshope me specialistë të teatrit e aktivitete të shumta për fëmijët me nevoja të veçanta.

Çdo vit në kuadër të këtij festivali prezantohen komedi të ndryshme, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës. Vetëm gjatë një edicion, në këtë festival performojnë  mbi 150 artistë të njohur të teatrit shqiptar.