Ministri Hajrulla Çeku me fituesit e çmimeve për teatrin për 2023. Foto: KALLXO.com.

Muharrem Qena nderohet pas vdekjes me "Çmimin kombëtar për vepër jetësore" në teatër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka ndarë më 27.03.2024, çmimet vjetore për teatrin- për vitin 2023.

“Çmimi kombëtar për vepër jetësore”, i është ndarë post-mortem regjisorit dhe aktorit Muharrem Qena. Ky çmim, Qenës i është ndarë për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit skenik, sidomos për themelimin e teatrove në disa qytete të Kosovës.

“Çmimi për shfaqjen më të mirë”, i është dhënë shfaqjes “1984”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Regjisori Fadil Hysaj ka marrë “Çmimin për regjinë më të mirë”, për shfaqjen “Fausti”, prodhim i Teatrit Kombëtar, Teatrit të Gjilanit dhe Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Ndërsa, “Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë”, e mori Adrian Morina, për rolet e tij në shfaqjen “Fausti” dhe “1984”.

Kurse, Qendra Multimedia në Prishtinë ka marrë “Çmimin për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar”.

Çmimet vjetore për teatrin për vitin 2023, janë ndarë nga juria e përbërë nga: Kushtrim Koliqi, Ag Apolloni, Ilir Bokshi, Doruntina Basha dhe Ernest Malazogu.

Çmimet Kombëtare për vitin 2023 u ndanë në Ditën Botërore të Teatrit.