Hamami i Prishtinës. Foto: Facebook/Adrian Berisha
Komuna e Prishtinës sqarohet për emrin e Hamamit të Madh
Drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka thënë se Hamami i Madh i Prishtinës nuk do të emërtohet me emrin Fatih Hamami Musesi.
Përmes një postimin në Facebook, drejtori Berisha ka shkruar se ka qenë gabim nga ana e Komunës së Prishtinës, e cila siç ka thënë ai, ka përdorur një video të vjetër prezantimi të restaurimit të projektit.
Berisha ka thënë se emri i Hamamit edhe pas restaurimit do të mbetet, siç zyrtarisht njihet nga institucionet kompetente të Trashëgimisë Kulturore, Hamami i Madh i Prishtinës.
“Kërkesa për restaurim është aprovuar, por kërkesa për ndryshim te emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) duke u thirr ne faktin se nuk mund ti ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm. Pra, Hamamit do ti mbetet emri ashtu siç e ka: Hamami i Madh i Prishtinës”, ka shkruar Berisha.
Më poshtë postimi i plotë i drejtorit të Kulturës, Adrian Berisha:
Hamami i Madh i Prishtinës
Gjendja e Hamamit të Madh të Prishtinës për momentin është e mjerueshme. Një objekt i rëndësishëm dhe me kapacitet për zhvillim si hapësirë kulturore, i lënë anash e ngjason me një deponi bërllogu. Fatkeqësisht, në këtë gjendje janë shumica e objekteve të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Si shoqni kemi dështu që me kriju mekanizëm për mbrojtjen dhe konservimin në mënyrë sa më të mirë te objekteve të tilla. Problem kolektiv.
Në këtë gjendje Hamami ka ardh si pasojë e intervenimit në periudhën e vitit 2009-2012. I mbetet institucioneve përkatëse për me e zbulu se kush e ka fajin për këtë gjë. Ne nuk do ta drejtojmë gishtin tek askush, por do ta zgjatim dorën për bashkëpunim tek të gjithë palët e përfshira në projektet e restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore. Pra, për të mirën publike, sa më shumë bashkëpunim kundrejt përçarjes.
Komuna e Prishtinës e sheh si të rëndësishme që objekti i Hamamit të Madh të Prishtinës të restaurohet dhe të funksionalizohet si hapësirë për përdorim të organizimit të ngjarjeve kulturore përbrenda objektit. Për këtë gjë, në mes të tjerash, kemi kërkuar bashkëpunime të ndryshme në mënyrë që të kemi të kontraktuar operator ekonomik që e ka përvojën në restaurim të objekteve të tilla. Këtu lindi idea e bashkëpunimit me TIKA turke dhe në jemi falënderues ndaj tyre për gatishmërinë që kanë treguar që të bashkëfinancojnë një projekt kaq të rëndësishëm për qytetin tonë.
Pas negociatave ne arritëm që të nënshkruajmë marrëveshjen gjatë ditës së djeshme. Normalisht që lansuam edhe projektin se si do të duket dhe këtu lindi një reagim i opinionit publik; reagim me vend, por i ngutshëm. Nuk është hera e parë që kemi reagime të tilla të ngutshme dhe nuk besoj që do të jetë hera e fundit.
Sidoqoftë, në një video prezantim të projektit të restaurimit të Hamamit të Madh të Prishtinës, shihet mbishkrimi ku pretendohet se Hamami i Madh i Prishtinës do ta ndryshon emri dhe do teëquhet: FATIH HAMAMI MUSESI
Që në gjuhën shqipe i bien: HAMAM MUZEU I PUSHTUESIT
Për këtë gjë, me lejoni të bëjë një sqarim në disa pika:
- Hamami i Madh i Prishtinës është në listën e objekteve të mbrojtuna nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) dhe për çfarëdo lloj intervenimi apo ndryshimi në këtë objekt duhet të merret leje nga IKMM;
- Tika ka bërë kërkesë për restaurim të objektit dhe në këtë kërkesë kanë paraqitur edhe idenë e ndryshimit të emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës;
- Kërkesa për restaurim është aprovouar, por kërkesa për ndryshim të emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) duke u thirr në faktin se nuk mund t’i ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm;
- Pra, Hamamit do t’i mbetet emri ashtu siç e ka: HAMAMI I MADH I PRISHTINES
- Krejt ky keqkuptim i opinionit publik ka ndodhur shkaku që ne, me gabimin tonë, kemi përdorur një video të vjetër prezantimi të restaurimit të projektit.
Ju kërkojmë falje për këtë keqkuptim dhe ju dëshirojmë vikend të këndshëm të gjithëve nga Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prishtinës.