Vërshimet në Pejë

Komuna e Pejës nis t’i pranojë kërkesat e dëmeve nga vërshimet

Banorët të cilet u prekën nga vërshimet e së shtunës në disa lagje të Pejës, kanë rrëfyer për televizionin Dukagjini, detaje të tjera rreth asaj nate të trishtë. Në mënyrë vetanake ata tashmë kanë filluar t’i pastrojnë shtëpitë e tyre gjysmë të rrenuara derisa presin edhe dorën e shtetit.

Mbetjet e fundit po i largojnë nga shtëpitë e tyre. Dikush me lopatë, të tjerët me kovë, kurse dikush edhe me mjete të rënda por të gjithë më të njëjtin hall, pastrimin e shtëpive gjysmë të rrënuara.

Situata që u krijua në këto lagje të Pejës banorëve të kësaj ane po ua rikujton momentet e pasluftës.

“Tana kujtesat e mbas luftës po m’i rikthen, kështu edhe atëherë jemi bo, edhe atëherë jemi mundu që vet me i pastru me i ndihmu të tjerëve” – thotë Riard Krasniqi, banor.

“Jemi t’u prit duhet me ardhë edhe ata m’i pa dëmet dhe jemi duke i pritur, kjo po më kujton një tmerr që se kam përjetua asnjëherë”- është përgjigjur Valentina Dreshaj-Hajrizi, pronare e një marketi të dëmtuar.

Në përpjekje për t’i larguar mbetjet e fundit nga shtëpia e tij, është edhe Panarit Berisha, i cili po lë fajtor institucionet qendrore e komunale për atë që ndodhi dy ditë më parë.

“Qe 23 vite nuk e ka pastru Komuna e Pejës kanalin pasi ai është gjithmonë i mbushur me zall e gur se përndryshe kjo nuk kish ndodh” – ka thënë Panarit Berisha.

Komuna e Pejës nga sot ka filluar t’i pranojë edhe kërkesat për dëmet e shkaktuara./RTV Dukagjini