Qendra e votimit në Jasenovik të Zubin Potokut

Komisioni Europian për zgjedhjet e mbajtura në veri të Kosovës: Nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës të mbajtura në prill të këtij viti, sipas Komisionit Europian nuk ofrojë zgjidhje afatgjatë politike.

Kjo për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve në këto komuna.

Raporti i Komisionit Europian për Kosovën, për vitin 2023, ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt e mundur në Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur në të katër komunat, të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”- thuhet në raport.

Megjithatë, në raport theksohet se zgjedhjet e mbajtura për kryetar komune u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe u bën përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Tutje, raporti thotë së Kosova ka bërë progres të rëndësishëm me reformën zgjedhore, pasi ka miratuar Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“KQZ-së i nevojiten më shumë burime financiare dhe njerëzore për të kryer detyrat shtesë që rrjedhin nga kuadri i ri ligjor”- thuhet tuje në raport.

Po ashtu, theksohet se kuadri i ri ligjor adreson rekomandimet e kahershme të misioneve të njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së.

Në qershor të këtij viti, Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është miratuar në Kuvend brenda ditës në të dy leximet.

Si rrallëherë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës ishin të të njëjtit mendim sa i përket një çështjeje – Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Grupet parlamentare të të gjitha partive janë shprehur pro miratimit të tij.

Me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi miraton Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme