Komisioneri për Zgjerim i BE-së, fton të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e iniciativës ‘Ballkani i Hapur’

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimi Evropian, Olivér Várhelyi, gjatë takimit të mbajtur mes tre vendeve që janë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e veriut, ka ftuar edhe tri vendet e tjera që nuk janë pjesë e kësaj iniciative që t`i kthehen bashkëpunimit rajonal.

“Më leni të ftoj tre partneret tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal, se jo vetëm shton mundësitë për bizneset, por kështu mund të ndryshoj realitetet në terren që janë shumë të zymta”, tha Várhelyi.

Várhelyi tha se kjo iniciativë është mesazhi më i mirë që Ballkani mund të përçoj.

“Ky është përfundim që unë kam nxjerrë prej fillimit që ju të vazhdoni ta nxisni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë sa i përket ekonomisë, shoqërisë dhe kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në Bashkimin Evropian. Pikë së pari është një nismë që ka ardhur nga Ballkani, pra nuk është nismë nga Bashkimi Evropian, por ka ardhur prej jush, prej tre akterëve që shoh rreth tryezës sot dhe ju vazhduat ta shtyni përpara sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe mënyrën në të cilën kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj. Ne mendojmë që ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë. Është në të mirë të të dyja palëve, Ballkanit dhe Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Várhelyi u shpreh i kënaqur që të tri vendet po vazhdojnë me marrëveshje dhe shpreson që edhe tri venet e tjera të bashkohen.

“Pa këtë, plani ekonomik dhe i investimeve nuk do të jetë në gjendje t’ju sjellë përfitime dhe të nxit atë nivel që ka plan në rajon. Mirëpres që po punoni me partnerët tanë në CEFTA, në institucione të përbashkët rajonale dhe mendoj që është shumë me rëndësi që kur angazhoheni ju jepni rezultate dhe ne jemi gati që këto plane të jenë më të shpejta”, tha ai.

Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski të cilën e ka mbajtur më 15 dhjetor, kishte folur për për qëndrimin e Kosovës karshi iniciativës për “Ballkanin e Hapur”, projekt ky që po tenton t’i përfshijë 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Osmanit, kjo iniciativë nuk i trajton të barabarta të gjitha vendet.

“Kjo iniciativë e filluar në Novisad që e ka ndryshuar emrin disa herë nuk është ndërtuar në përputhje me parimet themelore të bashkëpunimit ndër fqinjësor, që ndër të tjera kanë të bëjnë me përfshirjen e gjitha shteteve që nga lindja e iniciativave të tilla. Dhe e dyta nuk e nuk e pranon parimin e barabartë apo trajtimin e barabartë të të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë Osmani.