Foto: Albin Kurti/facebook

Kurti mbledh liderët e institucioneve, thumbon Edi Ramën për “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thumbuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me “Ballkanin e Hapur”.

Kurti ka publikuar një fotografi, ku shihet bashkë me figurat më të larta të institucioneve të vendit. Vendin ku është shkrepur fotografia Kurti e ka quajtur “Ballkoni i Hapur” (i Qeverisë).

Në fotografi shihen presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrat, Donika Gërvalla e Besnik Bislimi.

“Një pasdite e këndshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, me Presidenten, Kryekuvendarin, zëvendëskryeministren Gërvalla dhe zëvendëskryeministrin Bislimi” – ka shkruar kryeministri.

Edi Rama, bashkënismëtar i “Ballkanit të Hapur”, tha më 1 korrik se kjo nismë kishte lindur nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe tani e ka kryer misionin e saj.

“Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë” – kishte thënë kryeministri shqiptar.

Në Procesin e Berlinit marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nisma “Ballkani i Hapur”, e cila fillimisht është quajtur “Mini Schengen”, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Qëllimi i kësaj nisme, siç është thënë nga ata, ka qenë krijimi i një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Kosova vazhdimisht e ka kundërshtuar nismën dhe nuk ka pranuar të bëhej pjesë e saj.