Foto: Edi Rama, Facebook

Presidentja Osmani nesër pret në takim kryeministrin Edi Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet nesër me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Takimi pritet të fillojë nesër në ora 16:00.

Sipas njoftimit, takimi do të mbahet në kabinetin e presidentes.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në Gjakovë ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – tha Kurti në konferencën për media sot.

Ai tutje shtoi se e di që Rama do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik, tur i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.

“Por procesi i Berlinit, samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor, tash jemi në fillim të korrikut, nuk është as në mes të muajit gusht, as shtator por tetor. Shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe më tutje në një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive andaj është për mua e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive” – tha Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media derisa fliste për disa vendime të qeverisë së tij,  nuk ka pranuar të komentojë, pasi u pyet nga gazetarët atje.

“Nuk jam në lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendim. Për sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër në Prishtinë” – ka thënë shkurtimisht Rama.

Kurti kushtëzon takimin me Ramën, kërkon paraprakisht mbledhjen e dy qeverive