Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, Foto: KFOR

Komandati i KFOR-it: Situata është më e qetë, por mund të përshkallëzohet

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia në fund të mandatit të tij tha se ndonëse situata në Kosovë është me e qetë se sa disa ditë më parë, ajo është e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet.

“Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një stabilitet dhe paqe të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në rajon” – tha Ristuccia sot para gazetarëve.

Ristuccia shtoi se KFOR-i është duke punuar për ta përmbushur mandatin e tij, për të cilin tha se nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit, por vetëm ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.

Ekuilibri mesa palëve, siç tha Ristuccia nuk mund të arrihet nëse palët nuk kthehen në tryezën e negociatave. Ai tha se KFOR-i e përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Komandanti i KFOR-it tha se ata kanë bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me institucionet e tjera të Kosovës.

Angelo Michele Ristuccia përfundoi sot mandatin e tij 1-vjeçar, për të cilin tha se ka qenë mjaft i vështirë. Ai përmendi krizat e ndodhura në veri dhe sulmin e 29 majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ristuccia ishte komandanti i 11-të italian nga 27 komandat gjithsej që kishte KFOR-i që nga fillimi i misionit në vitin 1999.