Kodi Civil, sfidë për legjislaturën e re: partitë “për” dhe “kundër” martesave mes personave të gjinisë së njëjtë

Kodi Civil ka mbetur peng i Nenit që lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Kryeministri Albin Kurti ishte zotuar në një tubim në Gjermani se do të angazhohej personalisht për t’i siguruar votat e nevojshme për miratimin e këtij Kodi, por jo vetëm se ka dështuar ta bëjë këtë, por nuk ka arritur të parandalojë largimin e dy deputetëve nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje: Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës, pikërisht për këtë çështje.

Derisa këta dy politikanë synojnë të marrin sërish mandatin e Deputetit në kuadër të Koalicionit për Familjen, Kodi Civil ka mbetur si çështje e hapur për legjislaturën e re që pritet të krijohet pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Në Programin e saj zgjedhor Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përmendur askund Kodin Civil. Ngjashëm as Partia Demokratike e Kosovës nuk ka përmendur këtë Kod. Dallim nga këto dy parti nuk bën as Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po ashtu s’e ka përmendur Kodin Civil në Programin e saj zgjedhor, megjithëse sa i përket familjes, kjo parti ka premtuar një Ministri të veçantë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës propozon formimin e Ministrisë së Familjes dhe Mirëqenies. Kjo Ministri do të shërbejë si pikë qendrore për të gjitha politikat, nismat dhe programet me qendër familjet dhe mirëqenien e përgjithshme shoqërore.” – thuhet mes të tjerash në Programin e LDK-së. “Duke institucionalizuar përkushtimin tonë ndaj familjeve, ne synojmë të sjellim një qasje gjithëpërfshirëse dhe të integruar për të adresuar sfidat e shumanshme me të cilat ato përballen.” – thuhet tutje në Programin e kësaj partie.

Në emisionin “Debat Përnime”, më 06.02.2025, kandidati për Deputet nga LDK, Arben Gashi ka thënë se kodifikimi i së drejtës familjare është i rëndësishëm. “Ne si LDK, si parti e qendrës së djathtë kemi qasje të ndryshme sa i përket bashkësisë civile dhe kjo nuk do të jetë shumë e përhapur në Kodin Civil, por Kodi Civil duhet patjetër të aprovohet shumë shpejt. Mendoj që brenda vitit të parë të qeverisjes duhet të jetë i aprovuar…” – ka deklaruar Gashi.

Ministri për Familjen kanë premtuar edhe Koalicioni AAK-Nisma dhe Koalicioni për Familjen. AAK në Programin e saj thotë se Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë të kujdesshëm me rastin e hartimit të legjislacionit që prek familjen. “Është e pakuptimtë tendenca e ligjësimit të martesave njëgjinore, sterilizimi apo fekondimi artificial për femrat e pamartuara mbi 18 vjet, largimi i konceptit baba dhe nënë për ta zëvendësuar me prindi 1 dhe prindi 2 apo e drejta e çifteve njëgjinore për të adoptuar fëmijë.” – thuhet mes të tjerash në këtë Program. Ky Koalicion premton që do të ketë kujdes të veçantë për familjen në hartimin e legjislacionit.

Ramush Haradinaj, kandidat për Kryeministër nga ky Koalicion, në emisionin “Debat Përnime” ka thënë se Kodi Civil nuk duhet të mbetet peng për shkak të Nenit që ka të bëjë me martesat mes gjinisë së njëjtë. “Për fat të keq Kodi Civil ka ngec vetëm për një Nen. Pra, vetëm në atë të rregullimit të drejtave për martesë për komunitetin LGBT+. Mendoj që nuk është mirë me e mbajt peng Kodin Civil për shkak të këtij Neni. Duhet me ec me Kod.” – tha Haradinaj, më 05.02.2025. Ndërsa, bindjet e tij personale lidhur më këtë janë se “nuk ndërhyj në privatësinë e askujt, por qëndroj për familjen tradicionale: babë, nanë, fëmijë, ashtu qysh jena mësu, pa nxit asnjë lloj pengese apo pasoje për njerëz që kanë zgjedhje të tjera”.

Koalicioni për Familjen thotë se familja “nënkupton institucionin e krijuar nga martesa ndërmjet një burri dhe një gruaje, si i vetmi model që mbron dhe siguron të ardhmen e fëmijëve”. “Kodi Civil që me disa Dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për Shëndetin Riproduktiv që tenton të legalizojë fertilizimin me “donim”, pa identitet të njohur që dërgon edhe në incest e të mos flasim edhe për cenime të familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për Gjendjen Civile, madje edhe te fëmijët dhe shumë aktivitete të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë e veprojmë rreth angazhimit politik për familje.” – kishte thënë Rrahmani, me rastin e zyrtarizimit të largimit nga LVV.

Themelimin e Ministrisë së Familjes e premton edhe Koalicioni për Familjen. Në këtë Program parashihet adresimi i çështjes si: parandalimi i çfarëdo nisme ligjore që do të cenonte statusin ekzistues ligjor të familjes – përfshirë miratimin e Projektkodit Civil që mundëson krijimin e familjes nga individët e gjinisë së njëjtë, projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor që përcakton mundësinë e fertilizimit me surrogaci dhe donatorë jashtë çiftit bashkëshortor, të njohur e të panjohur dhe ndryshimit të Ligjit për Gjendjen Civile që parasheh të drejtën e ndryshimit të gjinisë.

Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj 2021-2025 ka tentuar të votojë Kodin Civil në Kosovë. Në seancën e 16 marsit të vitit 2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës. Votat kundër ishin edhe të 14 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje. Të njëjtit, nuk kanë dhënë shenja që kanë lëvizur nga qëndrimi. Debatet dhe kundërshtimet ishin në lidhje me Nenin 1138 të këtij Projektkodi.

Sipas Projektkodit Civil, në Kapitullin II, saktësisht Neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Pika dy e Nenit 1138 thotë: Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me Ligj të veçantë.

LVV priste që Kodi Civil të votohet gjatë vitit 2024. Në fund të vitit 2023, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thoshte Kodi Civil nuk u miratua në Qeveri për shkak të rrethanave të ndryshme. “Ekziston bindja se është Projektligj që duhet të ketë mbështetje më shumë se të pozitës. Viti i ardhshëm është viti final dhe besoj që në vitin e ardhshëm ta miratojmë në dy lexime.” – kishte deklaruar ajo më 27.12.2023.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 16.06.2024, ka thënë se Qeveria do ta procedojë Projektkodin Civil në Kuvend, sapo të jenë të sigurt se i kanë votat e mjaftueshme për votimin e tij. Derisa ka theksuar se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ky dokument, ajo ka shprehur bindjen se nuk është mirë për vendin që Kodi Civil të dështojë gjatë votimit në Kuvend.

“Është një nga zotimet që i kemi adresuar. Qeveria konsideron se është dokument i rëndësishëm. Është në interesin e të gjithë qytetarëve, me qëllim të realizimit të të drejtave të njeriut. Nuk mund ta procedojmë në Kuvend për sa kohë nuk jemi të sigurt se Kodi Civil nuk kalon. Për Kosovën nuk është mirë që një dokument kaq i rëndësishëm të dështojë sërish në Kuvend. Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Do ta procedojmë Kodin Civil kur kemi siguri se kalon.” – ka thënë Haxhiu, më 13.06.2024.

Në lidhje me mendimet ‘për’ dhe ‘kundër’ miratimit të Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës, në rrjetin social TikTok janë publikuar video nga profile të ndryshme, disa prej të cilave mund t’i gjeni KËTU dhe KËTU.

Përfundimisht, Kodi Civil mbetet për t’u trajtuar nga deputetët e legjislaturës së ardhshme.