Haxhiu për Projektkodin Civil: Ende s'jemi të sigurt që i kemi votat në Kuvend
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria do ta procedojë Projektkodin Civil në Kuvend, sapo të jenë të sigurt se i kanë votat e mjaftueshme për votimin e tij.
Derisa ka theksuar se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ky dokument, ajo ka shprehur bindjen se nuk është mirë për vendin që Kodi Civil të dështojë gjatë votimit në Kuvend.
“Është një nga zotimet që i kemi adresuar. Qeveria konsideron se është dokument i rëndësishëm. Është në interesin e të gjithë qytetarëve me qëllim të realizimit të të drejtave të njeriut. Nuk mund ta procedojmë në Kuvend për sa kohë nuk jemi të sigurt se Kodi Civil nuk kalon. Për Kosovën nuk është mirë që një dokument kaq i rëndësishëm të dështojë sërish në Kuvend. Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument sepse nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Do ta procedojmë Kodin Civil kur kemi siguri se kalon”, ka thënë Haxhiu, më 13.06.2024.
Ajo e ka pranuar se aktualisht nuk janë të sigurt që i kanë votat e mjaftueshme.
Haxhiu ka theksuar se votimi i këtij dokumenti është obligim edhe i opozitës.
“Nuk është obligim i mazhorancës, por edhe i opozitës. Çfarë na ndodh me këtë opozitë është se përkundër faktit se hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë draftligje apo projektligje, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente në Kuvend. Ende nuk jemi të sigurt se i kemi votat, por do ta procedojmë në momentin që t’i kemi””- ka thënë ajo.
Në seancën e 16 marsit të vitit 2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.
Votat kundër ishin edhe të 14 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje. Të njëjtit, nuk kanë dhënë shenja që kanë lëvizur nga qëndrimi.
Debatet dhe kundështimet ishin në lidhje me nenin 1138 të këtij Projektkodi.
Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.