
Ilustrim
Materiale pornografike iu dërguan disa nxënëseve të një shkolle në Prishtinë
Një person është arrestuar më 10.03.2025 nën dyshimin se u ka dërguar material pornografik personave nën moshën 16-vjeçare. Ky material, sipas Policisë, viktimave u është dërguar përmes telefonit.
“Më 10.03.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti, viktimave meshkuj kosovarë u ka dërguar SMS me përmbajtje shqetësuese”- njoftoi Policia e Kosovës.
Policia njoftoi se pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
KALLXO.com ka mësuar nga burime se viktima janë disa të nxënës të një shkolle fillore në Prishtinë.
Nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës thanë se nuk janë të informuar për rastin.
“Nuk kemi njoftim që ka ndodhur ky rast. Edhe nëse ka ndodhë nga nxënësit ka ndodhë jashtë orarit ose diçka e tillë, por as shkolla nuk ishte në dijeni për këtë rast” – tha për KALLXO. com Jehona Lushaku-Sadriu, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Detaje për rastin nuk dha as Prokuroria e Prishtinës, duke theksuar se çështja është konfidenciale.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftoj se tani për tani nuk mund të japim ndonjë informacion në lidhje me çështjen aktuale pasi që është rast konfidencial dhe mund të dëmtojmë rastin në fjalë” – theksoi Prokuroria e Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com.
Avokati Ardian Bajraktari sqaroi se veprimet për të cilat dyshohet personi tashmë i arrestuar paraqesin vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Fillimisht, referuar nenit 231 të Kodit Penal, përkatësisht ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, kemi në rastet kur dikush shet, ofron për shitje, shfaq ose në çfarëdo mënyre tjetër i siguron personit nën moshën 16-vjeçare fotografi, material audiovizuel apo sende të tjera me përmbajtje pornografike, po ashtu nëse lejon personin e tillë të shohë një shfaqje të gjallë me përmbajtje pornografike apo me dashje e sjell personin e tillë në një shfaqje të tillë, konsiderohet se e ka kryer këtë vepër penale” – sqaroi Bajraktari për KALLXO.com.
Tutje, ai theksoi se kjo vepër penale sanksionohet me burgim deri në tri vjet.
“Për kryerësit e veprës penale të ofrimit të materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”- theksoi avokati Ardian Bajraktari.
Mes tjerash, Bajraktari kërkon nga organet kompetente që raste të tilla të trajtohen me prioritet të lartë dhe politikat ndëshkimore të ashpërsohen kur viktima janë fëmijët.
“Rastet kur të miturit dhe fëmijët janë viktima të veprimeve të tilla nuk janë të pakta, andaj trajtimi i rasteve të tilla nga ana e organeve të zbatimit të ligjit duhet të bëhet me prioritet të lartë, bazuar në prezencën e dukurive të tilla, si dhe pasojat që mund të kenë kjo kategori tejet e ndjeshme e shoqërisë sonë, po ashtu duhet edhe politika ndëshkimore të ashpërsohet për kategori të tilla të veprave penale kur kemi të bëjmë me viktima të ndjeshme, sikurse janë të miturit dhe fëmijët”- tha Bajraktari.
Raste të tilla janë shqetësuese edhe për Agjencinë e Informimit dhe Privatësisë.
“Pa dyshim kjo është vepër penale dhe çdo shpërndarje e materialeve pornografike në çfarëdo forme është e dënueshme. Normalisht që këtu Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit i ndjekin këto raste, ne si Agjenci vetëm mund të bëjmë njoftime, nuk ka kompetenca të tjera. Besoj shumë se meqë janë raste te ndjeshme duhet të trajtohen me prioritet të lartë. Në fakt edhe Ligji i mbrojtjes se të dhënave dhe Kodi Penal për të rritur këto raste i trajton me prioritet të lartë dhe i njohin si të dhëna të ndjeshme. Andaj jo veç pse duhet por e kemi obligim ligjor që t’i trajtojmë” – tha Krenare Sogojeva Dërmaku, komisionere për Informim dhe Privatësi.
Deri më tani nuk dihet nëse Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e ndonjë mase të sigurisë ndaj të dyshuarit.