
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hamza fton partitë opozitare: Që sonte jam i gatshëm të ulemi e të bisedojmë
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, më 10.03.2025 është shprehur i gatshëm për t’u takuar me partitë opozitare.
Ai ka thënë se ka hapësirë për t’u ulur në tavolinë për të biseduar, duke u bërë ftesë që sonte partive opozitare për takim.
“Ka hapësirë për me u ulë me bisedu. Ftesën që sonte jam i gatshëm me u ulë me partitë që kemi qenë në opozitë që të bisedojmë për marrëveshje politike, jo për procedura ligjore e kushtetuese se janë të qarta me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sigurisht në kanale zyrtare do t’u bëj ftesë me u ulë dhe me bisedu që vendit me i dhënë institucione, mos me lënë vakuum”- tha Hamza në Klan Kosova.
Hamza ka thënë se sigurisht që nuk do të jetë e lehtë kushdo që do ta krijojë qeverinë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, edhe një herë ka përsëritur vendimin e kësaj partie për të mos bërë koalicion me partinë në pushtet.
“Me Vetëvendosjen nuk shohim pika takimi. Nuk ka të bëjë me inate politike, unë nuk kam parë program. Kemi shumë dallime, në rritjen e pagave, rritjen e pensioneve, çështjen e energjisë, kemi dallime të mëdha”- tha Hamza.
Ai thot se më parë bëhet qeveria me opozitë sesa Lëvizja Vetëvendosje.
“Më e mundshme, për shkak të programeve, për shkak të numrave, është që opozita të krijojë qeverinë, sesa ta krijojë Lëvizja Vetëvendosje. Nëse opozita bëhet bashkë bëhen 52 numra, 10 i marrim nga minoritetet joserbe që bëjnë 62 dhe mundemi me kriju qeverinë. Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka”- u shpreh ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha sot, më 10.03.2025, se LDK nuk do jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit dhe nuk punojnë për qeveri afatshkurtër, dhe nuk kanë interesim pa e zgjidhur çështjen e presidentit.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se bisedimet për formimin e Qeverisë do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Ai shprehet i bindur se Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga ai dhe partia e tij.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, pastaj Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë” – ka thënë Kurti kur u pyet nga KALLXO.com se cilat janë kushtet për të bërë marrëveshje me partitë e komuniteteve.