Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Haradinaj: Kodi Civil s'duhet të mbetet peng i një neni, personalisht qëndroj për familjen tradicionale

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka shpalosur qëndrimet e tij për Kodin Civil, i cili ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur më këtë ai tha në “Debat Përnime” se Kodi Civil nuk duhet të mbetet peng për shkak të nenit që ka të bëjë me martesat mes gjinisë së njëjtë.

“Për fat të keq Kodi Civil ka ngec vetëm për një nen, pra vetëm në atë të rregullimit të drejtave për martesë për komunitetin LGBT+. Mendoj që nuk është mirë me e mbajt peng Kodin Civil për shkak të këtij neni. Duhet me ec me Kod”- tha Haradinaj, më 05.02.2025.

Ndërsa, bindjet e tij personale lidhur më këtë janë se “nuk ndërhyj në privatësinë e askujt, por qëndrojë për familjen tradicionale, babë, nanë, fëmijë, ashtu qysh jena mësu, pa nxit asnjë lloj pengese apo pasoje për njerëz që kanë zgjedhje tjera”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.

“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër