Aeroplani në ajër

KFOR-i dhe Islanda me marrëveshje për hapësirën ajrore të Kosovës

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovës, gjeneralmajor Michele Risi, nënshkroi sot një kornizë marrëveshje për menaxhimin e hapësirës ajrore të ultë mbi Kosovën, gjersa Drejtori i Përgjithshëm Arnór Sigurjónsson e nënshkroi në emër të Ministrisë për Punë të Jashtme të Islandës.

“Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të vitit 1999, Komandanti i KFOR-it mban autoritetin mbi sigurinë në hapësirën e ultë ajrore mbi Kosovën, e cila ka qenë e mbyllur për trafikun ajror civil, përveç fluturimeve për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Islanda do të kontribuojë në misionin e KFOR-it përmes ofrimit të ndihmës në përpjekjet për normalizimin e hapësirës së ultë ajrore mbi Kosovën.

“Përfundimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm në procesin për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për hapjen e rrugëve të reja në hapësirën ajrore të ultë të Kosovës, në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Marrëveshja do të kontribuojë edhe në përpjekjet e vazhdueshme për promovimin e normalizimit të raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, thuhet tutje në njoftim.

“Zhvillimi i rrugëve të reja ajrore ndiqet në kuadër të takimeve të NATO-s për normalizimin e aviacionit ballkanik (BANM), që udhëhiqet nga NATO-ja dhe në të cilin mund të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara. Normalizimi i hapësirës ajrore të ultë të Kosovës do të shkurtojë rrugët dhe do të sjell përfitime mjedisore dhe kursime të kostove për linjat ajrore dhe aviacionin ushtarak”, thuhet në fund të njoftimit.