Këshilltari i Konjufcës: S’është e vërtetë që Pacollit iu anulua leja për aterim

Kreshnik Ahmeti, këshilltar i ministrit në detyrë të Jashtëm dhe Diasporës Glauk Konjufca, ka thënë se është e pavërtetë që deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës.

Ahmeti ka shtuar se nuk do të ketë trajtim të vecantë me rastin e Pacollit.

“Por, është e pamundur që Qeveria aktuale të bëj diskriminim të shtetasve të saj. Megjithëse sistemi aktual ekonomik e pamundëson që të jemi të barabartë, prandaj dikush vjen me aeroplan privat e dikush me autobus, para ligjit të gjithë jemi të njëjtë dhe para se gjithash në kohë pandemie shëndeti publik ka rëndësi mbi të gjitha dhe rregullat e vendimet e organeve përkatëse shëndetësore duhet të respektohen. Pra, leje për aterim ka. Por, vullnet për trajtim të veçantë jo”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka reaguar sot lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra në Kosovë, duke thënë se në mënyrë primitive dhe diktatoriale po pengohet kthimi, pasi që Qeveria dje deklaroi se Pacolli si çdo qytetar tjetër duhet të futet në karantinë për 14 ditë në konvikte.

Pacolli ka deklaruar se nën asistencë shëndetësore për dy muaj ai me familjen e tij janë në karantinë në shtetin zviceran.

Ai thotë se dëshiron që të kthehet në mënyrë që ta vazhdojë veprimtarinë e tij parlamentare në kohën kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë tha sot se nuk kanë pranuar ende asnjë kërkesë zyrtare nga ana e Pacollit.

Pacolli: Qeveria për të cilën e votova kundër rrëzimit po më pengon të kthehem në Kosovë

.