Foto: Durim Shala/ KALLXO.com

Foto: Durim Shala/ KALLXO.com

Zv/ministri Ahmeti tregon pse e lëshuan bajrakun përkundër qëndrimit të tyre për vendimin e Kushtetueses

Pas dhënies së dritës së gjelbër nga kryeministri Albin Kurti që të nisë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë për Manastirin e Deçanit, i pari i shtetit u kritikua për ndërrim qëndrimesh në lidhje me këtë çështje të cilën e kishte pasur kauzë para së të jetë në pushtet dhe në vitet tjera të qeverisjes.

Zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti që njëherësh është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, thotë që kanë pasur “diskutime të gjata dhe shteruese” në muajt e fundit brenda Qeverisë dhe partisë së tij, megjithatë nuk ka pasur koncensus në lidhje me këtë vendim që sipas tij determinon fatin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ajo që mund të them është që kryeministri Kurti dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka pasur koncensus në lidhje me këtë vendim as me kabinetin qeveritar e as me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Është e qartë sepse është një vendim i madh në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që me të vërtetë i gjithë procesi është i çuditshëm dhe një vendim i padrejtë”- tha Ahmeti në një intervistë për “KallxoPërnime”.

Sipas tij, fakti që Qeveria nuk ka mjete legale juridike që ta kontestoj apo anulojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kjo çështje mbetet e pazgjidhshme ndryshe përderisa interesi për anëtarësim në Këshill të Evropës është shumë i madh.

Ahmeti tha që kanë qenë të kushtëzuar të marrin një vendim të tillë kundër dëshirës së tyre, për shkak se përfitimet nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë të mëdha edhe për integrime më të shpejta në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Prandaj ka qenë vendim ku janë diskutuar shumë çështje sepse rasti ka qenë shumë kompleks dhe nuk ka pasur koncensus as në kabinetin qeveritar as në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje”- ta Ahmeti.

Një “super-hero” që është ngjitur në pushtet me kauza të rrejshme. Kështu e përshkruajnë deputetët opozitarë kryeministrin Albin Kurti, një ditë pasi ai e ndryshoi qëndrimin e tij për 24 hektarët tokë.

Njëjtë u arsyetua edhe Kurti duke thënë se ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi, ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13.03.2024 se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Çështja e kthimit të 24 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit është aktuale tash e disa vjet, duke nxitur herë pas here mosmarrëveshje mes udhëheqësve të shtetit dhe të manastirit, marrë parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe evropianë.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i ekzekutivit kosovar “demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.

Ndërkaq, përmes një postimi në X, diplomati gjerman, Jorn Rohde tha se pavarësisht se zbatimi i këtij vendimi është i vonuar, ai paraqet “një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”.