Kur e kuptoi Qeveria se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është kushti për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, njëherësh Udhëheqës i Grupit Ndërinstitucional për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) thotë që gjatë vizitës që kanë pasur në janar të vitit 2024 në Strasburg të Francës në Asamblenë Parlamentare, e kanë marrur vesh që i gjithë procesi i anëtarësimit është koncentruar në vetëm një kusht, atë të 24 hektarëve në pronat e Manastirit të Deçanit.

“Gjatë vizitës që e patëm me kryeparlamentarin Glauk Konjufca në janar gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, ne kuptuam që i tërë procesi do të fokusohet në këtë kusht, pra në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Manastirit të Deçanit”- tha Ahmeti në një intervistë për “KallxoPërnime”.

Pas urdhërit që ka dhënë kryeministri Albin Kurti më 13.03.2024 që të nisë zbatimi i vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit, Ahmeti shpjegoi që në tre muajt e fundit fokusi i vetëm për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare ka qenë vetëm kjo çështje, pasi që tjerat veçse i kanë adresuar nëpërmjet Grupit Ndërinstitucional për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Aty janë ngritur tri shqetësime dhe në një formë i tërë procesi u kornizua rreth atyre shqetësimeve, por me punën që e bëmë brenda në lidhje me ato çështje dhe pastaj me lobimin jashtë vendit u arrit që të mbetet vetëm një kusht (zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit)”- tha Ahmeti.

Kur u pyet zëvendësministri Ahmeti se pse është marrë një vendim i tillë pikërisht në këtë kohë pa asnjë paralajmërim të mëparshëm, ai deklaroi që edhe pse Këshilli i Evropës në vetvete nuk ka afate për procedura, por e kanë pasur qëllim që anëtarësimi të bëhet sivjet.

“Afatet ishin në fund sepse mundësia e radhës ka mbetur që më së largu më 22 mars të thirret mbledhja e jashtëzakonshme vetëm për këtë çështje, e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”- tha Ahmeti.

Ndërkohë, ndryshe nga Ahmeti, në një përgjigje të Këshillit të Evropës për Kallxo.com u tha që akoma nuk është caktuar asnjë datë për çështjen e Kosovës pasiqë do të vazhdojnë debatet akoma deri të një mbledhje përfundimtare. Ndërsa data e vetme që është caktuar është 27 marsi (2024), në të cilën do të mblidhet Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci.

“Kosova me këtë vendim të fundit të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese i ka përmbushur të gjitha standardet, kushtet e shqetësimet që janë ngritur në atë raport. Raporti (i Juristëve Eminentë) dhe përmbushja e kritereve që përmbushen nga ai është dokumenti orientues për ne që të ecim përpara”- tha Ahmeti.

Edhe kryeministri Kurti më 13.03.2024, tha që këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në vitin 2023, ekspertët e pavarur të Këshillit të Evropës konfirmuan se legjislacioni i Kosovës përputhet me standardet e Këshillit të Evropës për sundimin e ligjit.

Sidoqoftë, ata gjithashtu kërkuan nga Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos dërgojë njësi speciale të policisë për detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë mirëpritur dhe e kanë përgëzuar Qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykata Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa 24 hektarëve tokë.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk ishte zbatuar.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Faktori ndërkombëtar mirëpriti më 13.03.2024 vendimin e ekzekutivit kosovar.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj reagoi më 13.03.2024 se Deçani është goditur “përsëri padrejtësisht” por sipas tij, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit Albin Kurti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

U themelua më 1949 dhe mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe të drejtat e minoriteteve në vendet anëtare.