Këshilli i Evropës, Foto: Ilirjana Hoti/Kallxo.com

Përkundër fushatës së Serbisë, Ahmeti beson që disa vende mosnjohëse do votojnë pro Kosovës në Këshill të Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti thotë që pasi që Kosova aplikoi në Këshillin e Evropës kishtë hasur me një fushatë jashtëzakonisht aktive në Strasburg të Francës për të penguar vendin në anëtarësim, megjithatë beson që disa shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës do votojnë pro anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“Me Serbinë kemi pasur një betejë të non-paperave”- tha Ahmeti në një intervistë për “KallxoPërnime”.

Megjithatë, Ahmeti tha që me kalimin e kohës Serbia filloi të ulë intensitetin e lobimit kundër, kur e pa që nuk mund ta ndalë rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

“Në shtator të vitit 2022 kur Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfimoi që Kosova mund të bëhet anëtare e plotë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore, këtu Serbia e ka kuptuar që nuk mund ta ndalë rrugëtimin e Republikës së Kosovës”- tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti tha që Serbia vazhdon me fushatën e tyre dezinformuese pasiqë Këshilli i Evropës ka të bëjë me liritë civile e të drejtat e njeriut, por se i kanë marrë parasysh qysh herët narrativat dezinformuese të Serbisë.

Sidoqoftë, Ahmeti shprehet optimist që Kosova do të arrijë të anëtarësohet në Këshillin e  Evropës dhe to të arrijë të marrë vota në favorin e saj, duke u bërë kështu shteti i 47 në Këshillin e Evropës.

“Ne me 24 prill në nivelin e votimit të ambasadorëve që sigurisht që votojnë me udhëzimet e ministrave të jashtëm, kemi pasur më shumë se ⅔ në favor. Nga 46 anëtarë kemi pasur 33 vota në favor, kemi pasur nga 12 vendemosnjohëse që janë aty 5 vende që nuk e kanë kundërshtuar anëtarësimin, një vend që nuk ka marrë pjesë në votim fare dhe të tjerat që kanë votuar kundër” – tha ai.

Ndër të tjerash, Ahmeti shprehet optimist që deri në maj të vitit 2024, në Komitet të Ministrave ka mundësi që të grumbullojnë më shumë se 33 vota në favor, sepse sipas tij, ka pasur zhvillime me disa vende në ndërkohë që janë mosnjohëse. 

Pas vendimit për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, Këshilli i Evropës ka konfirmuar për KALLXO.com se kryetari i Komisionit për Çështje Politike ka pranuar notën verbale nga Qeveria e Kosovës në lidhje me zhvillimin e fundit.

Por, ndryshe nga deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, nga Këshilli i Evropës thanë se akoma nuk janë caktuar datat për mbledhjet për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse, sipas tyre, nuk mund të caktohen data pa përfunduar debatet në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

“Nuk është e mundur të ketë data përfundimtare për këtë, pasi ka disa hapa në proces. Asambleja mund të vazhdojë me debatin dhe votimin për këtë çështje vetëm pasi Komisioni për Çështje Politike të ketë miratuar draft-opinionin e tij dhe dy komisione të tjera të kenë dhënë pikëpamjet e tyre”- tha për KALLXO.com, zëvendësshefi i Divizionit të Komunikimit në Këshillin e Evropës, Agnus Macdonald.

Kryeministri Kurti më 13.03.2024 tha se më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Evropës.

“… kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë”- tha Kurti.

Sipas përgjigjes së Këshillit të Evropës, data e vetme që është caktuar deri më tani është 27 marsi (2024), në të cilën është caktuar një mbledhje për çështjet politike të Asamblesë në Paris, në të cilën raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Dy trupat kryesorë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.