Foto: Durim Shala/ Kallxo.com

Foto: Durim Shala/ Kallxo.com

Ahmeti: Opinioni i miratuar në Paris rekomandon anëtarësimin pa asnjë parakusht shtesë

Zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili njëherësh është edhe Udhëheqës i Grupit Ndërinstitucional për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE), ka njoftuar që Kosova ka kaluar suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE dhe është miratuar opinioni i raportueses Dora Bakojanis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Europës. 

Ahmeti ka thënë se opinioni i miratuar në mbledhjen e mbajtur në Paris më 27.03.2024, rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit”- ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas tij, madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit.

Ndër të tjera, Ahmeti ka thënë se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që sipas tij tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta. 

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën”- ka shkruar Ahmeti,

Ndërkaq, sipas tij rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend  sipas nenit 5.

“Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit’- ka shkruar ai.

Pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. 

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.