Foto: Islam Berisha/ KALLXO.com

Ahmeti: Asociacioni është zotim që duhet adresuar pas anëtarësimit në Këshill të Europës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është zotim që duhet të adresohet pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Kështu tha ai në një konferencë për media kur u pyet nëse Asociacioni është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Neni 11 i opinionit të raportueses Bakoyannis tregon qartë se sa i përket këtij zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit dhe dje edhe në seancën plenare dëgjuam nga njëri prej drejtuesve të grupit më të madh politik në Asamble se Këshilli i Europës nuk është Bashkimi Europian, pra nuk duhet të ndërlidhen proceset që kanë të bëjnë me dy organizata të pavarura nga njëra-tjetra”- tha Ahmeti.

“Siç e dini ne me ndërmjetësimin e BE-së jemi në një proces të dialogut sa i përket sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes bazike, dhe kemi të bëjmë me një marrëveshje dypalëshe, jo me zotime të njëanshme dhe çfarëdo hapi i njëanshëm sigurisht që do të ndikonte keq në procesin e dialogut. Edhe raporti i Bakoyannis nuk e parasheh këtë, përkundrazi ajo qartë tha se kjo gjë nuk është e arritshme për momentin sepse tashmë është bërë e qartë edhe për atë se kjo temë i përket një procesi tjetër që nuk varet vetëm nga Kosova por jemi tre palë”- u shpreh ai.

Ahmeti theksoi se propozimet për ta futur Asociacionin si parakusht u refuzuan nga shumica dërrmuese e delegatëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Propozimet për ta futur Asociacionin si parakusht ka pasur që nga 27 marsi kur u mbajt takimi i parë i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, ato u refuzuan nga shumica dërrmuese dhe pastaj edhe dje është mbajtur i njëjti komitet dhe ka pasur amendamente të tilla të propozuara, u rrëzuan me dy të tretat”- ka deklaruar zv.ministri.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.