Kërstiq: Kurti është dashur të takohet me opozitën serbe në veri

Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branisllav Kërstiq, në emisionin “Kallxo Përnime” ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nuk është takuar asnjëherë me përfaqësues të partive politike opozitare në veri të vendit.

Ai ka pyetur se për kë po organizon zgjedhje Kurti.

“A ka pasur ky kryeministri jonë një takim serioz me subjektet opozitare nga veriu. Përderisa është në pushtet Vuçiqi në Beograd, Lista Serbe do t’i fitojë zgjedhjet në veri të Kosovës” – ka thënë Kërstiq.

Ai ka shtuar se takimi me Kurtin do t’i bënte mirë opozitës në veri.

“Me siguri që do t’i bënte mirë. Ata janë shtetas të Kosovës me nacionalitet serb nga veriu, pra me nisë me zhvillu jetën bashkë me serbët” – ka shtuar ai.

Ai ka insistuar në atë që kryeministri Kurti kishte premtuar një dialog të brendshëm por që ende nuk e ka bërë këtë.

“Ne s’e kemi pasur ende atë bisedën me Kurtin” – tha më tej ai.

Ndryshe zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të mbahen këtë të diel.

Përderisa, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja do t`i njohë rezultatet e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pavarësisht bojkotimit të tyre nga Lista Serbe.

Escobar në një deklarim për mediet serbe në Serbi ka thënë se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet nuk përcakton rezultatet e zgjedhjeve dhe shtoi se SHBA do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në çdo rast, pas pyetjes se a do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë.

 

Escobar: SHBA do t’i njohë rezultatet në veri