Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

KEDS dhe KOSTT ende nuk kanë qasje në katër komunat me shumicë serbe

Në “Kallxo Përnime” po transmetohet intervista me kryetarin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu.

Ndër të tjera gjatë  këtij emisioni u diskutua edhe aplikimi për licencim i kompanisë ‘Elektro Sever’ për furnizim me energji elektrike, e cila operon në katër komunat me shumicë serbe.

Fejzullahu tha se ky aplikim ende është në shqyrtim pasi që për shkak të mosqasjes së KEDS, KESCO dhe KOSTT-it në këto katër komuna me shumicë serbe nuk mund t’i krijohen kushte ‘Elektro Sever’-it për furnizim me energji elektrike.

“Në dhjetor të 2020 ‘Elektro Sever’ ka apliku për licencim. Meqenëse ky aplikacion rrjedh prej një marrëveshje të Brukselit janë disa pika të cilat ende  nuk janë përmbush nga pala serbe, një prej pikave është moslejimi i qasjes së KOSTT-it  dhe KEDS-it në këto katër komuna. Sipas marrëveshjes,  BE-ja do t i ndihmojë Kosovës që të ketë qasje në këto katër komuna por ne ende nuk kemi qasje në këto katër komuna. Kjo ka të bëjë vetëm me shitjen dhe me blerjen e energjisë elektrike, por ne ende nuk kemi qasje në ato katër komuna ne jemi të obliguar që për gjithsecilin furnizues të krijojmë kushte. Kjo është temë më tepër politike. Aktualisht edhe KEDS edhe KESCO nuk kanë qasje në katër komunat ne jemi ende në proces të vlerësimit të raportit të ‘Elektro Sever”, tha ai.

Fejzullahu tha se furnizimi me energji elektrike i komunave me shumicë serbe mund t’i kushtojë vendit rreth 25 milionë euro këtë vit.

Kurti: Së shpejti fillon faturimi i rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës