Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KOSTT ndërpret pagesën e rrymës për katër komunat veriore, skadon marrëveshja gjashtëmujore me Qeverinë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka ndërprerë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kjo është thënë në Komisionin për Ekonomi nga kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, i cili ka thënë se gjatë këtij muaji ka ndërprerë më ndarjen e mjeteve për shkak se ka përfunduar marrëveshja në mes të KOSTT dhe Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja kishte paraparë të lirojë Qeverinë e Kosovës nga pagesa e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së katër komunave veriore.

Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës.

Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim.

Kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, ndër të tjera ka thënë se që nga 2017-ta për pagesën e rrymës në katër komunat veriore shuma totale është 27 milionë e 806 mijë euro ku 10 milionë euro kanë nga Qeveria e Kosovës ndërsa mbi 17 milionë janë paguar nga KOSST-i.

Gjithashtu Mehmeti ka treguar edhe për gjendjen financiare të KOSTT-it, ku sipas tij, nëse nuk i kthehen mjetet financiare atëherë në 2024 do të ketë vështirësi financiare në operim.

“Nëse ne vazhdojmë edhe vetëm me dhjetorin me pagu atëherë do të kemi humbje deri në 10 milionë euro. Po ashtu edhe nëse hyjmë në vitin tjetër me pagesa atëherë ne nuk do të mund të realizojmë të gjitha planet. Nëse neve nuk ka kthehen mjetet të cilat i kemi shpenzuar atëherë ne do të kemi problem që të funksionojmë në operim e po ashtu edhe ndoshta me paga të punëtorëve”, ka thënë Mehmeti.

Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inauguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.

Komisioni për Ekonomi voton që KOSTT të mbulojë për 6 muajt e ardhshëm shpenzimet e energjisë elektrike në veri