Kurti: Së shpejti fillon faturimi i rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Deputetja Time Kadriaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se kur do të filloj faturimi i energjisë në veri në deklarimin jashtë rendit të ditës.

“Sa ishit në opozitë keni akuzu për këtë temë. Kur do të filloj faturimi në pjesën veriore”, tha Kadrijaj.

Kryeministri Kurti iu përgjigj deputetes Kadriaj duke thënë se faturimi i rrymës në katër komunat me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë së shpejti.

“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë prandaj edhe sot e kemi trashëguar një gjendje e cila na e ka vërtetuar dhe dëshmuar që kemi pasur të drejtë në kritikën tonë. Po ta kishim trashëguar një gjendje e cila do të ishte e mirë, ashtu siç e ka dashur kritika jonë, nuk do të ishim duke e bërë këtë diskutim fare. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel dhe ne po i vuajmë pasojat tani. Në raportet tona që i kemi atje edhe me partnerët tanë ndërkombëtar por edhe në bisedimet me Serbinë, argumentet kryesore kundër nesh janë dakordimet e pajtueshmëritë e qeverive paraprake. Pra, unë duhet të operoj me trashëgiminë e lënë më herët. Po e bëj më të mirën të mundshme në funksion të kushtetutshmërisë, në funksion të sovranitetit të Kosovës, dhe pa dyshim nuk do të doja që të jem në këtë gjendje. Me krejt çfarë dimë dhe mundemi sa më shpejtë do të vijë dita që të fillojë faturimi edhe atje në veri sepse është një padrejtësi e madhe ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës”, është deklaruar Kurti.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka ndërprerë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës me 6 nëntor të këtij viti për shkak se ka skaduar marrëveshja me Qeverinë e Kosovës.

Marrëveshja kishte paraparë të lirojë Qeverinë e Kosovës nga pagesa e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së katër komunave veriore. Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës. Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në Parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim.

Gjatë ditës së djeshme, KOSTT ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministres serbe se komunat veriore të Kosovës furnizohen me rrymë nga Serbia që nga viti 2020. Sipas KOSTT, qytetarët në veri të Kosovës furnizohen nga ky operator dhe se furnizimi bëhet vetëm nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Minierave dhe Energjisë Zorana Mihajloviq dje kishte deklaruar se vendimi i operatorit të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë që të mos mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës, ku shumica janë serbë, është presioni më brutal ndaj popullatës serbe.

KOSTT përgënjeshtron zv.kryeministren serbe për rrymën e qytetarëve të veriut

Komunat veriore të Kosovës furnizohen me rrymë nga Serbia që nga dhjetori i vitit 2020, thotë zv/kryeministrja e Serbisë

KOSTT ndërpret pagesën e rrymës për katër komunat veriore, skadon marrëveshja gjashtëmujore me Qeverinë