Ilustrim

Kandidati për patentë shofer kapet në testim me kufje dhe kamerë, arrestohet edhe pronari i Auto-Shkollës

Një person është arrestuar pasi dyshohet se derisa ishte në testim për patentë shofer tek i njëjti janë gjetur një kamerë trupi, një kufje e vendosur në vesh dhe një pajisje shtesë.

Ai dyshohet se me këto pajisje ka komunikuar me pronarin e një auto-shkolle në mënyrë që ta kalonte provimin teorik për patentë shofer.

Rasti ka ndodhur më 14.02.2024 në Prishtinë.

Lidhur me rastin është arrestuar edhe pronari i auto-shkollës që dyshohet se është përfshirë në rast.

“Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar edhe një i dyshuar tjetër që për momentin ndodhet në arrati. Ai dyshohet se në këmbim të parave i ka lëshuar të dyshuarit të parë vërtetimin për aftësim të kandidatit pa qenë prezent fare”- thuhet në raportin policor të datës 15.02.2024.

Me vendim të prokurorit dy të arrestuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Rasti “dhënie – pranim i ryshfetit/ legalizim i përmbajtjes së rreme” është në hetime.

Për këtë rast reagoi dje – 14.02.2024 zëvendësministri Hysen Durmishi, duke thënë se ndaj kandidatit në fjalë do të ndërmerren masa sipas ligjit dhe rregulloreve dhe të njëjtit do t’i ndalohet hyrja në provim për tre vite.

“Komisioni Monitorues pasi ka vërtetuar dyshimet e tyre, kanë ftuar Policinë e Kosovës dhe se tani ndaj të njëjtit dhe auto-shkollës është hapur rast në Polici”- ka shkruar Durmishi në Facebook më 14.02.2024.

02.02.2024 në një konferencë për media, zëvendësministri Durmishi kishte thënë se kanë identifikuar shkelje dhe keqpërdorime në njësitë e patentë shoferëve, kryesisht në rajonin e Pejës e që të njëjtat pretendime i kanë dorëzuar në Prokurori.

Sipas tij, dyshimet janë se kanë të bëjnë me “një ndërmarrje të gjerë kriminale”.