Në Njësinë e Patent Shoferit në Prishtinë një kandidat kapet në testim me kufje dhe kamerë
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se të mërkurën, 14.02.2024, në Njësinë e Patent Shoferit në Prishtinë, një kandidat gjatë testimit është kapur me kufje dhe kamerë.
Përmes një postimi në Facebook, Durmishi tha se këto mjete i dyshuari i ka shfrytëzuar me qëllim të dhënies së provimit në kategorinë C.
“Komisioni Monitorues pasi ka vërtetuar dyshimet e tyre, kanë ftuar Policinë e Kosovës dhe se tani ndaj të njëjtit dhe autoshkollës është hapur rast në Polici” – ka shkruar Durmishi në Facebook.
Ai ka thënë se ndaj kandidatit në fjalë do të ndërmerren masa sipas ligjit dhe rregulloreve dhe të njëjtit do t’i ndalohet hyrja në provim për tre vite.
Më 02.02.2024 në një konferencë për media, zëvendësministri Durmishi kishte thënë se kanë identifikuar shkelje dhe keqpërdorime në njësitë e patentë shoferëve, kryesisht në rajonin e Pejës e që të njëjtat pretendime i kanë dorëzuar në Prokurori.
Sipas tij, dyshimet janë se kanë të bëjnë me “një ndërmarrje të gjerë kriminale”.
Durmishi tha se kanë gjetur raste kur kandidati i është nënshkruar provimit në pjesën teorike në vitin 2023 në Prishtinë, ndërsa në dosje figuron që i njëjti kandidat e ka kaluar provimin në vitin 2022 në Pejë.
Keqpërdorimet me patentë shofer, Durmishi: Kemi të bëjmë me ndërmarrje kriminale