Kandidati i LVV-së betohet për emërimin e drejtorive me 50% gra në Novobërdë

Kandidati për kryetar të Komunës së Novobërdës, Abdyl Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se betohet që nëse merr mandat 50 për qind të drejtorive të komunës do të udhëhiqen nga gratë.

Ai u zotua se do t’u japë hapësirë edhe personave me nevoja të veçanta.

“Unë betohem para juve dhe para qytetarëve të Artanës që 50 për qind e drejtorive po ashtu në mesin e tyre po të ketë edhe zonja të cilat janë me aftësi të kufizuar, edhe atë shtresë të prekim në mënyrë që të tregojnë që edhe ata munden dhe dinë me vepru karshi institucionit dhe dinë me marr vendime shumë të rëndësishme për qytetarët e Artanës”, tha ai në Debat Pernime.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Novobërdës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Novobërdës: Abdyl Gashi nga LVV dhe Bajrush Ymeri nga LDK. Në garë për të parin e Novobërdës janë edhe Sasa Milosevic nga Lista Srpska dhe Selatin Nuhiu nga PDK por të njëjtit nuk kanë ardhur në debat.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Novobërdës: Ervenita Isufi dhe Shqipe Mustafa nga LDK dhe Kaltrina Zeqiri dhe Lumturije Salihu Ramadani nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.