Arma me tre fishekë dhe një gëzhojë, të konfiskuara nga Policia në Kaçanik, Foto: Policia e Kosovës

Kaçanik, vetëplagoset me armë zjarri - përfundon në QKUK

Policia në Kaçanik rreth orës 02:00 ka pranuar një raportim nga Shtëpia e Shëndetit në Kaçanik se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kishte marrë lëndime nga arma e zjarrit.

I lënduari është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe po ashtu në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa raportohet se është jashtë rrezikut për jetë.

Sipas njoftimit të Policisë, nën autorizim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kanë nisur hetimet.

Bazuar në hetimet e para të Policisë, ka një të dyshuar, 21-vjeçar, nga Kaçaniku.

“Nga hetimet e para dyshohet se personi A. B., mashkull kosovar, i moshës 21-vjeçare në shtëpinë e tij në rrugën ‘’Mejdi Dalloshi’’ në Kaçanik me armën e zjarrit (pistoletë) ishte vetëplagosur” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka konfiskuar armën e zjarrit dhe tre fishekë, si dhe një gëzhojë si provë materiale.

Rasti është trajtuar si “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi të pa autorizuar të armës’’.