Kryeministri britanik, Boris Johnson, Foto: BBC

Johnson: Sanksionet e Britanisë së Madhe do të godasin fort Rusinë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka thënë se sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar do të godasin “interesat ekonomike që kanë mbështetur makinën luftarake të Rusisë”.

“Ato do ta godasin Rusinë shumë fort dhe ka shumë më tepër që ne do të bëjmë në rast të një pushtimi”, ka thënë kryeministri britanik, raporton BBC. 

“Mos kini dyshim se nëse kompanitë ruse pengohen të rrisin kapitalin në tregjet financiare të Mbretërisë së Bashkuar, nëse heqim fasadën e pronësisë ruse të kompanive, të pronave, do të fillojë të dëmtohet”, ka shtuar ai.

Johnson thotë se largimi nga nafta dhe gazi rus do të ndihmonte në sigurinë energjetike të Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka shtuar se paqëndrueshmëria në çmimet e gazit në Evropë është një “pasojë e atij dështimi” për t’i bërë ballë Rusisë në vitin 2014 kur Krimea u aneksua.

“Në Mbretërinë e Bashkuar ne kemi qenë në gjendje të reduktojmë varësinë tonë nga gazi rus në mënyrë thelbësore. Vetëm 3% e furnizimeve tona me gaz tani vijnë nga Rusia”, theksoi kryeministri.

Johnson thotë se përgjigja përfshin dhënien e licencave për rezervat e gazit në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe kalimin në energjinë me karbon të ulët, duke përfshirë energjinë bërthamore.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka mbajtur mbledhje urgjente pas zhvillimeve të fundit në krizën Ukrainë-Rusi.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.

Edhem ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të miratojnë të martën pasdite sanksione kundër Rusisë lidhur me njohjen dhe veprimet e saj në rajonet separatiste ukrainase, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.