
Ilustrim
Në vitin 2023, rreth 150 milionë euro u paguan për ndërtimin e rrugëve në Kosovë
Nga arka e shtetit në vitin 2023, u paguan hiç më pak se 149 milionë e 754 mijë euro për ndërtimin e auto-rrugëve, rrugëve regjionale dhe atyre lokale.
Kjo vlerë e shpenzuar e parave përbën 26.7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme kapitale për vitin 2023.
Nga shuma e përgjithshme për ndërtimin e rrugëve, 10 milionë e 338 mijë euro u paguan për ndërtimin e auto-rrugëve apo 6.9 për qind, 35 milionë e 142 mijë euro apo 23.5 për qind u paguan për ndërtimin e rrugëve regjionale ndërsa 69.6 për qind apo 104 milionë e 274 mijë euro u paguan për ndërtimin e rrugëve lokale.
Shpenzimet për ndërtimin e rrugëve në vlerë 149 milionë e 754 mijë euro paraqet një rritje 56.8 për qind apo 54 milionë e 229 mijë euro më shumë në krahasim me vitin 2022, kur u shpenzuan 95 milionë e 525 mijë euro.
Në raport me shpenzimet e përgjithshme kapitale të realizuara për vitin 2023 në vlerën e 560 milionë e 868 mijë euro, këto investime marrin pjesë me 26.7 për qind.
Për tri vjet 379.4 milionë euro për ndërtimin e rrugëve
Të dhënat e raportit vjetor financiar të dikasterit qeveritar të kuletës së shtetit, tregojnë se për tri vitet e fundit 2021-2023, për ndërtimin e rrugëve u paguan 379 milionë e 434 mijë euro.
Prej tyre, 20 milionë e 871 mijë euro u shpenzuan për ndërtimin e auto-rrugëve, 107 milionë e 329 mijë euro për ndërtimin e rrugëve regjionale ndërsa 251 milionë e 234 mijë euro për ndërtimin e rrugëve lokale.
Sipas të dhënave del se shpenzimet për ndërtimin e rrugëve në vitin 2023 janë dukshëm më të larta në krahasim me vitin 2022 ndërsa rritje më të lehtë kanë në krahasim me dy vite më parë.
Mesatarja e shpenzime për ndërtim të rrugëve në Kosovë, për tre vite rezulton të jetë 126 milionë e 478 mijë euro. ndërsa më shumë mjetet u shpenzuan për ndërtimin e rrugëve lokale