Foto: Policia e Kosovës

Ambasada gjermane i dhuron vetura e pajisje teknologjike Policisë së Kosovës

Vetura e pajisje të teknologjisë i janë dhuruar Policisë së Kosovës nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha është shprehur mirënjohës ndaj kësaj ambasade për përkrahjen e saj në avancimin e kapaciteteve operacionale, logjistike dhe teknologjike.

Në ceremoninë e pranim dorëzimit të donacionit mori pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

“Automjetet dhe pajisjet e dhuruara janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit” – tha Rohde.

Sipas njoftimit të Policisë, kjo ambasadë në vitet 2022 dhe 2023, ka përkrahur Policinë Kufitare me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, me 130 kompjuterë, 16 lap-top, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje të tjera.

“Po ashtu një kontribut të veçantë nga ambasada gjermane,  policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të  mbi 150 zyrtarëve policorë” – njofton Policia.

Hoxha ka shtuar se përkrahja nga partneret ndërkombëtarë do të ndikojë pozitivisht në luftimin e krimit, do të ndihmojë punën policore në terren dhe do të rrisë efikasitetin e punës.