
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Në vitin 2023 u shpenzuan 26.5 milionë euro për trotuare, kanalizime dhe ujësjellës
Në vitin 2023, në Kosovë u shpenzuan 26 milionë e 548 mijë euro për trotuare, kanalizim dhe ujësjellës. Kjo përbën 4.7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme kapitale për vitin 2023.
Nga shuma e sipërpërmendur, 9 milionë e 403 mijë euro u shpenzuan për trotuare apo 35.4 për qind; 10 milionë e 457 mijë euro apo 39.4 për qind u shpenzuan për kanalizime; ndërsa 25.2 për qind apo 6 milionë e 688 mijë euro u shpenzuan për ujësjellës.
Shpenzimet kapitale në këto kategori, prej rreth 26.55 milionë eurove paraqesin një rritje prej 15.6 për qind apo për 3.58 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2022, kur u shpenzuan 22.97 milionë euro.
Në raport me shpenzimet e përgjithshme kapitale të realizuara për vitin 2023 në vlerën prej 560 milionë e 868 mijë euro, këto investime marrin pjesë me 4.7 për qind.
Për tri vjet 82.28 milionë euro për trotuare, kanalizim e ujësjellës
Bazuar në të dhënat e raportit vjetor financiar të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për tri vitet e fundit 2021-2023, për këtë qëllim u shpenzuan rreth 82 milionë e 283 mijë euro.
Prej tyre, 33 milionë e 435 mijë euro u shpenzuan për trotuare, 28 milionë e 776 mijë euro për kanalizime ndërsa 20 milionë e 72 mijë për ujësjellës.
![Shpenzimet e parasë së buxhetit të Kosovës për trotuare, kanalizim dhe ujësjellës 2021-2023_Burimi: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve [MFPT]](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/04/Shpenzimet-e-Buxhetit-te-shtetit_Burimi_-Ministria-e-Financave-Punes-dhe-Transfereve.jpg)
Këto të dhëna u bën të ditura nga raporti vjetor financiar për vitin 2023, i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.