ZRrE ndërpret aplikimin e skemës për tarifa nxitëse pas vendimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me vota unanime ka miratuar vendimin për ndërprerjen e aplikimit të skemës mbështetëse përmes tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme, pas vendimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe kërkesës së vazhdueshme të Sekretariatit të Komitetit të Energjisë.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka konfirmuar hulumtimin e Emisionit “Jeta në Kosovë” duke gjetur se skema e aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare është e kundërligjshme. Nga ky vendim i ZRrE-së përfitonin edhe 4 biznese në pronësi të Blerim Devollit me bazë në Maltë.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRrE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky Komision.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore që ka kompetencë të lejojë dhe të anulojë vendime që konsiderohen ndihmë shtetërore nuk e ka autorizuar këtë vendim të ZRrE-së. Për më tepër, Komisioni ka kërkuar nga ZRrE-ja që mos të zbatojë këtë skemë mbështetëse.

Përfaqësuesi ligjor i ZRrE-së, Afrim Ajvazi para bordit ka thënë se konstatimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore se ZRrE ka shmangur obligimin për të njoftuar këtë Komison, është pak diskutabile pasi tarifat nxitëse janë shqyrtuar dhe miratuar në bord qe një kohë të gjatë.

Ajvazi ka numëruar të gjitha arsyet e propozimit për ndërprerjen e aplikimit të tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme.

“Kemi propozuar që të ndërpritet si rezultat i arsyeve të ndryshme, prej Sekretariatit kërkohet që të ndërpriten tarifat nxitëse, arsye tjetër janë caqet e përcaktuara me Udhëzim Administrativ që janë deri në fund të vitit 2020, dhe më pas priten caqet e reja për 2021-2030, arsye tjetër është që na ka shty është vendimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore që ka obliguar ZRrE-në që mos ta implementojë vendimin e vitit 2019”, ka thënë Ajvazi.

Ai ka thënë se vendimi i ZRrE-së për aprovimin e skemës për tarifat nxitëse për 20 megavat energji solare është në kontest gjyqësor

“Gjykata në qershor të vitit 2019 e ka shty ekzekutimin e vendimit e deri më sot nuk ka asnjë vendim, ka mbetur pezull qe 1 vjet e gjysmë”, ka thënë Ajvazi.

Më tej, përfaqësuesi ligjor i ZRrE-së, Afrim Ajvazi ka deklaruar se me përkrahjen Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka filluar projekti për përcaktimin e procedurave të ankandit që do të realizohen në përputhje me caqet e reja 2021-2030.

Përveç që ndërpritet aplikimi i skemës mbështetëse përmes tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme është ndërprerë edhe pranimi të aplikacioneve për tu trajtuar me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të ZRrE-së.

Pika tjetër e këtij vendimi është që të gjitha aplikacionet e pranuara dhe të regjistruara në ZRrE para datës 1 janar 2021 të trajtohen sipas kornizës ligjore.

“Të gjitha aplikacionet që janë në faza të ndryshme trajtohen me këto rregulla dhe duhet të trajtohen si të tilla. Nga momenti kur aprovohet ky vendim më aplikacionet nuk trajtohen me këtë rregull. Kjo është e domosdoshme se mundet me u kontestu nëpër gjykata”, theksoi Afrim Ajvazi.

Po ashtu, në mbledhje u tha se aplikacionet që janë të regjistruara në ZRrE por që janë jashtë caqeve nuk do të trajtohen.

Pikë tjetër e këtij vendimi të ZRrE-së është që ato aplikacione që kanë vendim final dhe që janë vlerësuar do të të trajtohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Ndërsa aplikuesit që kanë vendim preliminar nuk do të trajtohen me tarifa nxitëse nga ZRrE.

Por ky vendim i ZRrE-së nuk do të zbatohet si pasojë e pezullimit nga Gjakata deri në aktgjykimin final të kësaj Gjykate.

Muaj më parë, emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë.

Pak ditë pas transmetimit të hulumtimit në “Jeta në Kosovë”, Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar procedurën për vendimin e ZRrE-së për vënien në zbatim të kësaj skeme më 8 maj 2020, pas informatave që kishte pranuar nga “Jeta në Kosovë”.

Komisioni përveç kërkesës për mos-zbatim të vendimit për skemën mbështetëse ka kërkuar nga ZRrE-në që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) komfor praktikave të mira dhe në favor të interesit publik.

Në emisionin “Jeta në Kosovës” përveç zbardhjes së skemës së fshehjes së pronësisë përmes regjistrimit të bizneseve në Maltë është transmetuar edhe një intervistë përfaqësuesin e Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi. Ai kishte thënë se e kanë rekomanduar ZRrE-në që mos të zbatojë më përkrahjen e energjisë solare përmes tarifave nxitëse, por të aplikojë metodën e ankandeve meqë e njëjta ka rezultuar me çmime shumë më të lira të energjisë në shumë vende.

Gjatë këtij viti, Emisioni “Jeta në Kosovë” përmes një hulumtimi të gjatë ka zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli nga dy vendime të ZRrE-së, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili të enjten ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavat dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavat të tjerë.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) reagon ndaj të pavërtetave dhe tendencave, për të dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura, të paraqitura në emisionin “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli”  të emituar me 29 prill 2020, në kuadër të programit “Jeta në Kosovë” në televizionin publik – Radio Televizioni i Kosovës (RTK)”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Por në reagimin e ZRrE-së nuk mohohet që Blerim Devolli është pronar i 6 kompanive që përfitojnë tarifë nxitese prej taksapaguesit.

ZRrE ka shkruar se nuk është kompetencë e tyre që të identifikojnë lidhjet e kompanive në mes të njëra tjetrës.

“Sa i përket deklarimeve se projektet të cilat kanë përfituar nga ky vendim janë në pronësi të të njëjtit person, ZRRE sqaron se nuk ka asnjë kompetencë të identifikojë lidhjet e kompanive në mes njëra tjetrës. Por vepron vetëm duke u mbështetur në kornizën ligjore e cila i trajton aplikuesit si subjekte juridike të themeluara në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe pasi plotësohen të gjitha dëshmitë përkatëse,  të specifikuara me legjislacionin në fuqi, i lëshon edhe Autorizimet përkatëse”, vazhdon reagimi i ZRrE-së.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

KËTU mund të gjeni hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i cili është transmetuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.