Pezullohet vendimi i ZRrE-së prej të cilit përfitonin katër biznese të Blerim Devollit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës për pezullim e vendimit të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e sasisë së energjisë solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me çmim të paracaktuar prej 85.5 euro.

Kërkesën për pezullim të vendimit të bordit të ZRrE-së e kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo është fitorja jonë e radhës në kontestin kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilin po e ndjek si përfaqësues i aktivistit Sami Kurteshi”, ka shkruar Getoar Mjeku, ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në mandatin e fundit.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

“Ato paguhen me pare të qytetarëve, kurse nga to përfitojnë oligarkët. Thujse të gjitha kompanitë përfituese kanë një vend operimi dhe të njëjtin pronar. Për 12 vjet sa do të zgjasë subvencionimi, konsumatorët do japin mbi 27 milionë euro”, ka thënë Mjeku.

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, më 24 dhjetor 2019, dorëzuan padi në Gjykatën e Prishtinës ndaj vendimit të ZRrE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Në muajin janar të këtij viti Gjykata e Prishtinës e ka pezulluar vendimin e bordit të ZRrE-së.

Kundër këtij vendimi janë ankuar pala e paditur, Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe palëve të interesuara, që janë kompanitë të cilat kanë përfituar nga vendimi i ZRrE-së.

Gjakata e Apelit i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e ZRrE-së dhe palëve të interesuara dhe e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Foto: Getoar Mjeku/Facebook

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, vendimi i ZRrE-së nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi.

“Cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombëtare të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë”, kishte thënë Lëvizja Vetëvendosje.

Mjeku ka shkruar se tani do të presin shqyrtimin e padisë, çka mund të kërkojë disa vjet.

“Por e drejta është qartazi në anën tonë, dhe përpjekjet tona për shtetin e së drejtës, tregun e lirë dhe mbrojtjen e konsumatorit nuk do t’i ndalim në asnjë çast”, ka thënë Mjeku.

Në fund të muajit prill emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”. Në këtë hulumtim u trega se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë. ZRrE-ja i kishte caktuar tarifat nxitëse përkundër që kishte marrë rekomandime që të vazhdohet me ankande nga disa institucionet si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Zyra e BE, Ambasada Gjermane dhe USAID-i.

Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

KËTU mund të gjeni hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i cili është transmetuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.