Prokuroria Speciale hap dosje pas hulumtimit të "Jeta në Kosovë"

Pas hulumtimit të “Jeta në Kosovë”, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me vendimin e ZRRE-së, për tarifën nxitëse për prodhimin e 20 megavatëve shtesë energji diellore/solare.

Në kuadër të emisionit “Jeta në Kosovë”, me datë 30 prill 2020, u transmetua hulumtimi “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli”.

Ky hulumtim shpërfaqi mënyrën se si ZRrE kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse për energji solare.

Hulumtimi ka zbuluar se prapa gjashtë kompanive të cilat kanë përfituar tarifa nxitëse qëndron një person i vetëm, Blerim Devolli.

Blerim Devolli përmes gjashtë kompanive ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve energji solare.

Nga këto gjashtë kompani, vetëm njëra prej tyre është e regjistruar në Kosovë dhe që dihet publikisht që është në emër të Blerim Devollit, të tjerat janë të regjistruara në shtetin e Maltës.

Pas transmetimit të këtij emisioni, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se rastin në fjalë e ka dërguar për trajtim në Prokurorinë Speciale.

Pas transmetimit të këtij hulumtimi, edhe Komisioni për Ndihmë Shtetërore (KNSH) ka nisur procedurë ndaj vendimit të ZRRE-së, për tarifën nxitëse.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavat dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavat të tjerë.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) reagon ndaj të pavërtetave dhe tendencave, për të dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura, të paraqitura në emisionin “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli”  të emituar me 29 prill 2020, në kuadër të programit “Jeta në Kosovë” në televizionin publik – Radio Televizioni i Kosovës (RTK)”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Por në reagimin e ZRrE-së nuk mohohet që Blerim Devolli është pronar i 6 kompanive që përfitojnë tarifë nxitese prej taksapaguesit.

ZRrE ka shkruar se nuk është kompetencë e tyre që të identifikojnë lidhjet e e kompanive në mes të njëra tjetrës.

“Sa i përket deklarimeve se projektet të cilat kanë përfituar nga ky vendim janë në pronësi të të njëjtit person, ZRRE sqaron se nuk ka asnjë kompetencë të identifikojë lidhjet e kompanive në mes njëra tjetrës. Por vepron vetëm duke u mbështetur në kornizën ligjore e cila i trajton aplikuesit si subjekte juridike të themeluara në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe pasi plotësohen të gjitha dëshmitë përkatëse,  të specifikuara me legjislacionin në fuqi, i lëshon edhe Autorizimet përkatëse”, vazhdon reagimi i ZRrE-së.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

KËTU mund të gjeni hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i cili është transmetuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.